FLASH :

Rrjetet që përdor Rusia për rekrutim të shtetasve të vet për luftë

Që nga shpallja e “mobilizimit të pjesshëm” në shtator 2022 nga presidenti rus Vladimir Putin, Rusia ka përdorur një rrjet të gjerë e shpesh të errët rekrutimi për të mbushur radhët e ushtrisë në luftën kundër Ukrainës. Nga bastisje në shtëpi dhe stacione trenash, te rekrutime në burgje e strehimore për të varfrit, autoritetet ruse kanë ndërtuar një sistem paralel për rekrutimin e luftëtarëve, duke shmangur mobilizimin zyrtar për të mos nxitur pakënaqësi të hapur.

Një investigim i Radios Evropa e Lirë zbulon se dy rrjete kryesore – kompania mercenare Redut dhe sistemi Dobrokor (Korpusi i Vullnetarëve) – janë në qendër të kësaj skeme dhe kontrollohen nga GRU, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë. Ndryshe nga kontratat me Ministrinë e Mbrojtjes që zgjasin deri në fund të “operacionit special”, marrëveshjet me Redut dhe Dobrokor janë përkohshme, zakonisht 6-12 muaj. Por rekrutët përmes Redut janë praktikisht “të padukshëm” ligjërisht: nuk gëzojnë përfitime, trajtim mjekësor apo pension invaliditeti.

Në kontrast, rekrutët përmes Dobrokorit marrin trajtim ligjor si ushtarë, por me kushte më të rrepta: nuk mund të tërhiqen nga shërbimi pa pasoja penale. Shkalla e shfrytëzimit është e lartë – shumë nga këta ushtarë shihen nga ushtria e rregullt si “këmbësori i dorës së dytë” dhe “mish për top”, të përdorur për të konsumuar forcat armike përpara ndërhyrjes së trupave elitare. Përfitimet janë të ndryshme – pagat fillojnë nga 2.600 dollarë në muaj, por bonuset përmes Dobrokor janë shumë më të ulëta krahasuar me ato të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas platformës Mediazona, vetëm deri në maj 2024 janë regjistruar mbi 20,000 raste dezertimi të ndjekura penalisht nga prokuroria ushtarake. Pavarësisht premtimeve të Putinit, të rinjtë rusë dhe të rekrutuarit përmes kanaleve “alternative” po dërgohen në front me mjete minimale dhe shpesh pa garanci ligjore për jetën ose të ardhmen e tyre. Mobilizimi në Rusi vazhdon – jo më në mënyrë të hapur, por përmes një rrjeti që përdor frikën, varfërinë dhe mjegullën ligjore për të vazhduar një luftë që ka kushtuar tashmë mbi 1 milion jetë ushtarësh.