FLASH :

Rrjetet kryesore celulare bien në të gjithë Spanjën, katër javë pas ndërprerjes kombëtare të energjisë

Të gjitha rrjetet kryesore celulare në Spanjë u përballën me një ndërprerje masive këtë të martë, vetëm katër javë pasi vendi përjetoi një blackout kombëtar të energjisë elektrike.

Rrjetet Movistar, Orange, Vodafone, Digimobil dhe O2 u raportuan të ishin prekur nga probleme që ndikuan në shërbimet profesionale, përfshirë edhe qendrat shëndetësore. Ndërprerjet nisën herët në mëngjes dhe sollën kolaps të linjave fikse, internetit dhe shërbimeve të emergjencës.

Rajonet e prekura përfshijnë Madridin, Andaluzinë, Galicinë, Katalonjën, Baskinë, Aragonin, Navarrën, Ekstremadurën dhe Komunitetin Valencian.

Rrjetet e kontraktuara me kompaninë Telefónica duket se u goditën më rëndë, por nuk ka sinjale se akses individual i përdoruesve u ndërpre në masë. Telefónica tha për MailOnline se “punime për përmirësimin e rrjetit” kanë ndikuar në “disa shërbime fikse të komunikimit për kompani”. Sipas saj, “po punohet për zgjidhjen e problemit dhe disa nga shërbimet e prekura, si linja e emergjencës 112, janë rivendosur”.

Linjat fikse ishin “të heshtura” dhe numri 112 nuk funksiononte në disa zona të vendit. Në jugun e thatë të Spanjës, u formuan radhë të gjata jashtë qendrave shëndetësore të Andaluzisë për shkak të mungesës së lidhjes me internetin.

Një qytetar që foli për El Correo de Andalucía tha se kishte mbërritur për takim, por “nuk kishte kompjuterë dhe për rrjedhojë, nuk mund të përpunonin asnjë dokument”.

Sipas të dhënave të Downdetector, 70% e ankesave kishin lidhje me internetin fiks. Në jug të vendit, linja 112 doli jashtë funksionit nga ora 07:15 deri në 08:40, ndërsa disa qendra shëndetësore vazhdojnë të raportojnë probleme.

Në Aragon, pranë kufirit me Francën, autoritetet vendosën numra alternativë për emergjencat, ndërsa në Katalonjë ndikimi ishte minimal dhe numri 112 mbeti i arritshëm, sipas El Mundo. Në Krajën Baske, autoritetet thanë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Telefónica për zgjidhjen e situatës.

Kjo ndërprerje vjen pak javë pasi Spanja përjetoi një ndërprerje të madhe të energjisë që preku bizneset, transportin publik dhe lidhjet online. Qindra fluturime u vonuan, trenat dolën jashtë funksionit, karburantoret u mbyllën dhe semaforët pushuan së punuari. Një shtetas britanik në Barcelonë i tha MailOnline: “Trafiku është kaos. Motoçikletat ecin në korsitë e biçikletave. Ka radhë të gjata për autobusë sepse pa metro, askush nuk kthehet dot në shtëpi.”

Megjithëse energjia u rikthye një ditë më pas në Spanjë dhe Portugali, Gjykata Kombëtare në Spanjë (Audiencia Nacional) nisi një hetim për të përcaktuar nëse blackout-i ishte një “sabotim kibernetik ndaj infrastrukturës kritike” dhe nëse mund të klasifikohej si “akt terrorist”. Qeveria ngriti një komision hetimor dhe nuk përjashtoi asnjë skenar, megjithëse operatori kombëtar i rrjetit përjashtoi mundësinë e një sulmi kibernetik.

Mediat lokale kanë raportuar se integrimi i shpejtë i burimeve të rinovueshme të energjisë mund të ketë sjellë luhatje në tension dhe kolaps të rrjetit. Vetëm pak ditë përpara ndërprerjes, rrjeti energjetik i Spanjës funksiononte tërësisht me burime të rinovueshme – erë, diell dhe ujë.

Konsulentja e pavarur për energjinë, Kathryn Porter, u shpreh: “Sa më shumë energji diellore dhe me erë të ketë një rrjet, aq më pak i qëndrueshëm bëhet ai. Kjo e bën më të vështirë menaxhimin e defekteve.” Sipas saj, ka shumë gjasa që sasia e madhe e energjisë diellore në sistem të ketë krijuar kushtet për blackout-in dhe ta ketë përkeqësuar atë.