Nga një magazinë pranë selisë së FSB-së në thellësi të Rusisë, deri te shpërthimet e koordinuara në katër baza ajrore, Ukraina ka realizuar një nga operacionet më spektakolare të epokës moderne – dhe në qendër të gjithçkaje qëndron një emër që tani kërkohet në gjithë Federatën Ruse: Artem Tymofieiev.
Sipas inteligjencës ukrainase (SBU), operacioni i koduar “Rrjeta e Merimangës” u përgatit për 18 muaj dhe finalizoi të dielën, më 1 qershor, me sulme të njëkohshme në katër baza ajrore strategjike ruse – përfshirë atë në Siberi dhe Rrethin Arktik – duke shkatërruar, sipas Kievit, 34% të flotës ruse të bombarduesve të rëndë dhe duke shkaktuar dëme në vlerë prej 7 miliardë dollarësh.
Planifikimi brilant dhe risia e metodës
Në pamundësi për të goditur objektiva kaq të thellë në territorin rus me raketa konvencionale, SBU përdori një metodë që ngjan me një skenar filmi: dronë kamikazë të fshehur brenda çative të kabinave modulare, të vendosura mbi rimorkiot e kamionëve të zakonshëm, të cilat u drejtuan nga shoferë të paditur drejt bazave ajrore. Aty, dronët u lëshuan nga distanca e afërt, duke shpërthyer mbi avionët e parkuar.
Katër objektivat
Operacioni goditi njëkohësisht bazat ajrore:
- Belaya, në Irkutsk (Siberi)
- Olenya, në Rrethin Arktik pranë Murmanskut
- Diaghilev, pranë Rjazanit
- Ivanovo, në veri të Moskës
Pamjet satelitore tregojnë shkatërrimin e 41 avionëve, përfshirë gjashtë TU-22 dhe një TU-95 të dëmtuar rëndë. Madje një Beriev A-50, aeroplan zbulimi me radar, u raportua i shkatërruar – një humbje e rëndë për Rusinë që ka më pak se 10 të tillë.
Agjenti misterioz: Artem Tymofieiev
Autoritetet ruse kanë identifikuar si organizator të këtij sulmi Artem Tymofieiev, një ukrainas i vendosur vite më parë në Chelyabinsk, pranë kufirit me Kazakistanin. I paraqitur si “sipërmarrës”, ai dyshohet se ka koordinuar të gjithë logjistikën nga një magazinë, vetëm disa metra larg selisë lokale të FSB-së.
Tymofieiev thuhet se rekrutoi shoferë rusë për të transportuar “shtëpi modulare”, ndërsa në të vërtetë brenda tyre ndodheshin dronët vdekjeprurës të fshehur nën çati druri. Disa shoferë tashmë kanë dëshmuar se ishin thjesht transportues të paditur.
Goditja në Ditën e Aviacionit Ushtarak
Sulmi ndodhi pikërisht në Ditën e Aviacionit Ushtarak Rus, duke e kthyer ngjarjen në një turp kombëtar për Kremlinin. Ndërkohë që videot tregojnë shpërthime të fuqishme pranë bazave dhe dronë që fluturojnë mbi avionët rusë, mbrojtja ajrore ruse u tregua e pafuqishme.
Përgjigjja ruse dhe përplasja e epokave
Vetëm një ditë para sulmit, Rusia goditi me raketa një terren stërvitor në Dnipro, duke vrarë 12 ushtarë ukrainas. Por goditja e Kievit në zemër të aviacionit strategjik rus shënoi një kthesë të re në luftë – jo më vetëm mbrojtje, por penetruar thellë në territorin e armikut.
Në fund, SBU deklaroi: “Do t’i godasim në det, në ajër dhe në tokë. Po qe nevoja, edhe nën tokë.”
Ndërsa Tymofieiev besohet të jetë kthyer në Ukrainë, autoritetet ruse kanë nisur një ndjekje të madhe kombëtare. Por operacioni ka përfunduar – dhe historia tashmë është shkruar.










