Shqipëria renditet e 10-ta në listën prej rreth 40 shtetesh europiane për rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve gjatë periudhës 2015–mars 2025. Sipas të dhënave nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit që përdoret nga Eurostat për krahasimet mes vendeve, inflacioni ushqimor në vend ka qenë ndër më të lartët në kontinent.
Në mars 2025, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri kishin arritur një indeks prej 167 pikësh (me vitin bazë 2015=100), që përkthehet në një rritje prej 67 për qind. Kjo përqindje është 14 pikë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën periudhë.
Turqia kryeson, Zvicra më e qëndrueshme
Në krye të listës qëndron Turqia, me një rritje marramendëse prej 1,470 pikësh në indeks, pasuar nga Hungaria me 210. Në anën tjetër të spektrit ndodhet Zvicra, që ka pasur një nga rritjet më të ulëta të çmimeve ushqimore në dekadën e fundit.
Shqipëria, vendi me çmimet më të larta në Ballkan (pas Serbisë)
Në nivel rajonal, Shqipëria regjistron rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve, duke përjashtuar Serbinë. Ky zhvillim dëmton procesin e konvergjencës me BE-në, pasi përballja me çmime të larta, pa një rritje të njëjtë të të ardhurave, ul fuqinë blerëse dhe standardet e jetesës.
Turizmi rrit kërkesën, por jo prodhimin
Ekspertët vërejnë se ndërsa turizmi ka sjellë më shumë konsum, ai nuk ka nxitur rritjen e prodhimit vendas të ushqimeve. Përkundrazi, Shqipëria është bërë gjithnjë e më e varur nga importet për të përmbushur kërkesën në rritje. Mungesa e politikave që adresojnë problemet strukturore në zinxhirin ushqimor – nga prodhimi te shpërndarja – po ushqen më tej presionin inflacionist.
Pagat rriten ngadalë – Shqipëria prapa fqinjëve
Ndërsa shumë vende europiane kanë zbatuar politika agresive për rritjen e pagave dhe pensioneve pas krizës së luftës në Ukrainë, Shqipëria ka ndërmarrë masa më të kufizuara. Paga mesatare mujore bruto në vend është 77,500 lekë (rreth 770 euro), më e ulëta krahasuar me fqinjët:
- Serbi: 1,150 euro
- Bosnjë-Hercegovinë: 1,100 euro
- Mali i Zi: 1,083 euro
- Maqedonia e Veriut: 1,020 euro
Kjo diferencë e ndjeshme në paga përkeqëson ndjesinë e konsumatorëve shqiptarë që përballen me çmime në rritje, por të ardhura që nuk i ndjekin këto ritme.