Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, udhëtimet ajrore në Shqipëri kanë shënuar një rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore arriti në 2.083.050, me një rritje prej 9,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin 1.909.757 pasagjerë.
Në këtë periudhë kanë operuar gjithsej 19 shoqëri ajrore, prej të cilave 18 janë të huaja dhe vetëm një është shqiptare, duke treguar dominimin e kompanive të huaja në tregun ajror vendas.
Në hapësirën ajrore shqiptare janë regjistruar gjithsej 65.146 fluturime, ku 79,5% e tyre janë fluturime mbikalimi, ndërsa pjesa tjetër përfshijnë ngritje dhe ulje në aeroportet shqiptare.
Edhe pse volumi i mallrave të transportuara për eksport dhe import përmes ajrit u rrit me 2,8%, duke arritur në 396 ton, importet ajrore zënë vetëm 0,02% të totalit të importeve të vendit, çka tregon përdorim të kufizuar të këtij segmenti për tregtinë e jashtme.