Gjithnjë e më shumë shqiptarë po zgjedhin të kryejnë pagesa dhe transferta përmes aplikacioneve bankare, duke shmangur radhët në sportele. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti janë regjistruar rreth 1.6 milionë transaksione përmes home banking, me një rritje prej 22.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Përveç rritjes së volumit, është vërejtur edhe një zgjerim në vlerën e transaksioneve – konkretisht, 414 milionë lekë për dy muajt, me një rritje vjetore prej 21.2%. Megjithatë, kjo nuk ka sjellë domosdoshmërisht transaksione me shuma të larta, çka tregon se përdorimi i aplikacioneve mbetet i orientuar kryesisht drejt pagesave të përditshme.
Në analizën mujore, rezulton se shkurtit i takon numri më i madh i transaksioneve – 822 mijë, me një rritje 4% krahasuar me janarin – por me një vlerë më të ulët, vetëm 195 milionë lekë, duke reflektuar një rënie prej 10.5% të shumës totale.
Home banking përfshin një sërë shërbimesh si pagesat e faturave të energjisë, ujit, gjobave apo transferta të ndryshme, të cilat tashmë kryhen nga celulari apo kompjuteri, pa nevojë për të shkuar në degët fizike të bankave. Kjo tendencë tregon jo vetëm një përqafim më të madh të teknologjisë nga qytetarët, por edhe transformimin e mënyrës sesi kryhen operacionet financiare në vend.