FLASH :

Rrëzimi tragjik i avionit në Indi: Konsiderohet incidenti më i rëndë në vitet e fundit, por jo i vetmi!

Një avion i kompanisë Air India, me destinacion Londrën, është rrëzuar të mërkurën në mëngjes pranë qytetit Ahmedabad në Indi, vetëm pak minuta pas ngritjes nga pista. Sipas të dhënave zyrtare, në bord ndodheshin 242 persona, përfshirë pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.

Sipas burimeve të shpëtimit, deri më tani janë konfirmuar të paktën 30 viktima, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë të plagosur ose të bllokuar nën rrënoja.

Në bord ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez, përfshirë 11 fëmijë dhe 2 foshnje.

Ky incident ndodh në një moment kritik për Air India, e cila prej vitit 2022 është në pronësi të Tata Group, konglomerati që themeloi kompaninë që në vitin 1932. Nën drejtimin e ri, kompania ka qenë në një fazë rikonstruktimi dhe modernizimi, me ambicie për t’u rikthyer në skenën globale të aviacionit.

Megjithatë, siguria ajrore mbetet një temë e ndjeshme për Air India. Kompania është përballur më herët me disa ngjarje tragjike:

  • 2020: Një avion i Air India Express doli nga pista në Kerala, duke shkaktuar 18 viktima.
  • 2018: Një avion Boeing 737 goditi një mur gjatë ngritjes.
  • 2010: Një nga aksidentet më të rënda në historinë ajrore të Indisë ndodhi në Mangalore, ku 158 persona humbën jetën.