Ndryshe nga vende të tjera ku strukturat shtetërore e kanë të pamundur të fikin zjarret, në rastin e Lazaratit duket se i gjithë shteti, me një shpejtësi marramendëse, ka fikur flakët që mund të përhapeshin drejt Gjirokastrës. Arsyeja kryesore, mesa duket, lidhet me parcelat e kanabisit që vazhdojnë të lulëzojnë në këtë zonë. Për të shmangur një katastrofë me pasoja të rënda ekonomike edhe për shkak të rolit të kanabisit në ekonominë e vendit – shteti ka ndërhyrë me sukses për shuarjen e zjarrit.
Zjarri që po vinte nga Delvina në drejtim të Gjirokastrës dhe fshatit Lazarat u shua plotësisht falë ndërhyrjes së Shërbimit të MZSH Gjirokastër dhe ndihmës së banorëve vendas. Më herët, banorët kishin zbritur në lugina kopetë e bagëtive dhe kafshët e tjera, por vetë dolën në terren për të pritur zjarrin në majë të malit, duke e ndalur përpara se të hynte në zonat e banuara. Pa ndihmë nga mjetet ajrore, të angazhuara në operacione të tjera, ata u organizuan vetë, duke u bërë linjë mbrojtëse krah për krah me zjarrfikësit.
Edhe pse e gjithë Lugina e Drinos mbetet e mbuluar nga tymi, situata aktuale premton një natë të qetë për Gjirokastrën, ndërsa forcat e MZSH Gjirokastër do të qëndrojnë në terren për të monitoruar çdo rrezik riaktivizimi.