Një incident i rëndë është regjistruar këtë të diel në ujërat e Himarës, ku një turist i huaj është plagosur nga helikat e një skafi gjatë një lundrimi. Sipas dëshmitarëve, vetë drejtuesi i mjetit ka hyrë në det për ta shpëtuar dhe më pas i është dhënë ndihma e parë në vend. Turisti është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për trajtim të specializuar.
Ngjarja e sotme risjell në kujtesë tragjedinë e gushtit 2022, kur 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën në mënyrë tragjike në plazhin e Potamit. Ajo u godit për vdekje nga helikat e një skafi që drejtohej nga Arjan Tase, ish-shefi i komisariatit të Himarës, i cili hyri në një zonë të ndaluar për mjete lundruese. Për këtë ngjarje, Tase akuzohet për “vrasje me dashje indirekte”.
Incidenti i sotëm ngre alarmin për rrezikun që tragjedi të tilla të përsëriten, në mungesë të kontrollit dhe zbatimit të rregullave në zonat bregdetare.