Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka ngritur alarmin pas përhapjes së sëmundjes PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa zona të Shqipërisë. Si masë parandaluese, është ndaluar përkohësisht importi i deleve dhe dhive nga Shqipëria dhe janë vendosur masa kufizuese në të gjitha komunat kufitare.
AUV u ka bërë thirrje fermerëve të rrisin vigjilencën dhe të monitorojnë nga afër kafshët e tyre, duke shmangur çdo kontakt me bagëti të ardhura nga Shqipëria. Autoritetet theksojnë se zbatimi i masave mbrojtëse është thelbësor për të parandaluar përhapjen e virusit në territorin e Kosovës. Shenjat paralajmëruese të sëmundjes përfshijnë ethe të larta, plagë në gojë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, si dhe dobësi të përgjithshme.
Ndërkohë, kontrollet në pikat kufitare janë forcuar, dhe kullotat në zonat e brezit kufitar janë vendosur nën masa të rrepta mbikëqyrjeje. AUV paralajmëron se do të vijojë të ndjekë nga afër situatën dhe do të informojë rregullisht publikun dhe fermerët për çdo zhvillim të ri.







