FLASH :

E mbytën me litar dhe e hodhën drejt liqenit të Shkopetit, arrestohen autorët e dyshuar të vrasjes së Renis Dobrës

Një krim makabër, i planifikuar në çdo detaj, ka tronditur Matin dhe mbarë opinionin publik. 22-vjeçari Renis Dobra u rrëmbye më 8 korrik nga persona të veshur si policë, vetëm 5 minuta larg shtëpisë së tij në Zenisht, për t’u torturuar, mbytur me litar dhe hedhur bashkë me makinën në Liqenin e Shkopetit. Në pranga kanë rënë Fatjon Bushgjoka dhe Petrit Çakrri – ky i fundit një emër i njohur për drejtësinë dhe dëshmitar okular i vrasjes së Azem Hajdarit. Ndërsa dy vëllezërit e tjerë, Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, janë shpallur në kërkim.

Fatjon, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, janë tre vëllezërit që dyshohet si autorë të vrasjes së 22-vjeçarit Renis Dobra, trupi i pajetë i të cilit u gjet pranë Liqenit të Shkopetit.

Hetimet zbuluan se autorët e ndoqën Renisin me një “Honda” të bardhë dhe një “Range Rover” të zezë, të marrë me qira, dhe i zunë pritë pranë vendit të njohur si “Kroi i Sucit”. Rrëmbimi u pikas nga kushëriri i viktimës, i cili pa makinën e tij të ndaluar dhe dy persona të panjohur që i urdhëruan të largohej. Autorët kanë përdorur llampa të forta për të fshehur fytyrat dhe targat.

Trupi i Renisit u gjet mëngjesin e 9 korrikut, ndërsa makina e tij ishte fundosur në liqen. Të dhënat mjekoligjore tregojnë për shenja mbytjeje dhe goditjesh në kokë, duke përjashtuar mundësinë e një aksidenti. Pistat kryesore të hetimit lidhen me të kaluarën e tij në Gjermani, ku dyshohet se kishte pasur konflikte për trafikim droge dhe kishte vuajtur një dënim 6-mujor. Babai i tij ka dëshmuar se djali i ishte rrëfyer për një konflikt të ashpër për një sasi kokaine të zhdukur, çka mund të ketë shërbyer si motiv për ekzekutimin e tij.

Policia po heton më tej për të identifikuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë krim të organizuar, që kishte për synim jo vetëm vrasjen, por edhe fshehjen e gjurmëve përmes simulimit të një aksidenti. Gjurmët e GPS-it, kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e familjarëve kanë qenë kyçe në zbardhjen e skemës. Hetimet vijojnë.