Vendimi i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës për të ndaluar qarkullimin e automjeteve mbi 15 tonë nga ora 11:00 deri në 17:00 ka shkaktuar rradhë kilometrike në pikën kufitare të Vërmicës. Masa kufizuese, që do të zgjasë nga 23 deri më 28 korrik, është marrë për të mbrojtur rrugët nga dëmtimet që mund të shkaktohen nga temperaturat përvëluese të ditëve të fundit.
Kolona e kamionëve, shumica prej të cilëve të ngarkuar me karburant dhe gaz, shtrihet nga fshati Morinë në Kukës deri në hyrje të territorit kosovar, duke bllokuar një pjesë të rëndësishme të qarkullimit. Situata rëndohet edhe nga fluksi i emigrantëve kosovarë dhe pushuesve që udhëtojnë drejt dhe nga bregdeti shqiptar, duke krijuar kaos dhe vonesa në kufi. Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se vendimi është i përkohshëm dhe do të rivlerësohet në varësi të kushteve të motit në ditët në vijim.