Roven Zeka, ish-shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, i arrestuar në prill nën akuzën për korrupsion, kërkon të lirohet nga burgu për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Zeka u bë lajm në muajin prill kur tentoi t’i shpëtonte arrestimit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), por përfundoi i rrëzuar dhe me dëmtime në gjunjë. Më pas, ai u vetëdorëzua në komisariat, i shoqëruar nga një fotograf për të mohuar versionin zyrtar të ngjarjes.
Së bashku me të u arrestuan edhe Sokol Novaku, shef i hetimit të aksidenteve, dhe Edison Tabaku, oficer i policisë gjyqësore. Sipas hetimeve, të tre dyshohet se kanë marrë një rryshfet prej rreth 2 mijë eurosh nga një biznesmen për të manipuluar provat e një aksidenti, ku ishte përfshirë bashkëshortja e tij.
Pas më shumë se dy muajsh në paraburgim, Zeka ka paraqitur një kërkesë për zbutje të masës së sigurisë, duke pretenduar se është në gjendje të rënduar shëndetësore. Sipas raportimeve, ai mund të ketë thyer këmbën gjatë një ndeshjeje kalçeto brenda burgut, ndërsa versione të tjera flasin për një frakturë në legen si pasojë e dhunës në qeli.
Pavarësisht rrethanave të paqarta rreth dëmtimeve, një gjë është e sigurt: Zeka nuk ndihet rehat pas hekurave dhe duket se është i vendosur të shfrytëzojë çdo mundësi ligjore për të rifituar lirinë. Gjykata pritet të shqyrtojë së shpejti kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë.







