Pas ngjarjes së bujshme, kur drejtori i Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, tentoi t’i shpëtonte arrestimit nga oficerët e BKH-së, duke përfunduar në tokë me gjunjët e “thyer” gjatë arratisjes së dështuar.
Zeka, i dyshuar për korrupsion, nuk është më një emër i panjohur. Ai njihet si ish-shoferi personal i Ilir Prodes, por mbi të gjitha si një “ushtar” besnik i grupit famëkeq të Emiliano Shullazit. A mund të lejojmë ende që një individ me këtë profil të mbajë një post kaq të rëndësishëm në një nga institucionet më të ndjeshme të rendit publik?
Frika e tij përballë hetimeve të SPAK nuk ka të bëjë thjesht me një shkelje administrative apo një aksident të zakonshëm, por dyshohet se Zeka ka qenë i tmerruar nga sekuestrimi i dokumenteve që mund të nxjerrin në dritë përfshirjen e tij të thellë në aktivitete kriminale.
Zyrtarë pranë institucionit janë përpjekur ta paraqesin aktin e dorëzimit të Zekës si vullnetar, ndërkohë që realiteti flet ndryshe. Ai u përpoq të largohej me çdo kusht, duke e kthyer ngjarjen në një shfaqje paniku.
Pyetja që lind natyrshëm është: Si mund të rrijë ende në detyrë një person që i frikësohet drejtësisë, një i dyshuar për korrupsion, dhe mbi të gjitha, një individ me lidhje të qarta me botën e krimit të organizuar?
Në këtë rast dorëheqja e Roven Zekës nuk do të ishte një mundësi, por një domosdoshmëri morale dhe institucionale. Vazhdimi i qëndrimit të tij në detyrë, dëmton besueshmërinë e Policisë së Shtetit.
Zeka duhet të japë dorëheqjen menjëherë. Heshtja institucionale dhe zvarritja e kësaj çështjeje do të ishte një tjetër njollë e rëndë mbi sistemin tonë të drejtësisë.