FLASH :

Roshi, si i nënshtroi Joe Pesci shqiptar dy kapot e mëdhenj të politikës

Elvis Roshi në pamje të parë ngjason me gangsterin tipik mafioz italian të pamëshirshëm edhe pse shtatshkurtër, aq sa duket sikur ka dalë nga filmat e Martin Scorsese, si një farë Joe Pesci, që mund të të vrasë edhe me stilolaps.

Vetëm se Nicky i filmit Casino që i vriste ata që i mërzisnin shefin e ruletave të fatit dhe i groposte nëpër fusha misri, e pësoi edhe vetë keq në fund, kurse Nicky shqiptar, duket se ka nënshtruar drejtuesit e të dy kampeve më të mëdha politike në vend, diçka ndoshta përtej edhe vetë imagjinatës së Scorsese-s.

Në fakt, Edi Rama, i cili dikur e promovonte nëpër mbledhje emrin e Elvis Roshit, si gjeniu që shpiku konceptin e patronazhistit derë më derë dhe rezultatet në kokë të zgjedhjeve, më pas u detyrua të distancohej prej tij, pasi ligji i derkiminalizimit, i mbështetur fort nga Partia Demokratike, e nxori Roshin jashtë politikës dhe e bëri të humbiste postin e kryetarit të bashkisë së Kavajës, për vepra të rënda penale që u faktua se ai kishte bërë në të kaluarën, si pjesëmarrës në një përdhunim në grup në Itali, për të mos folur për pasurinë e dyshimtë që ai ka vënë, origjina e të ardhurave të të cilës është tejet e paqartë.

Por ironia e fatit e do që, PD dhe Berisha, kampionë të ligjit të dekriminalizimit, që hëngri shumë koka të “aleancës së qelbësirave”, nga Kavaja e deri në Laç, duke kaluar nga Nikla dhe Shijaku, sot e kanë vendosur Roshin si drejtuesin e fushatës së tyre në Kavajë, me pretekstin, se gjoja po ndihmon kushëririn e tij, që është kandidat në listat e PD.

Pra kriminelin e dekriminalizuar nga PD, sot ata që me të madhe e sulmuan si pjesë e çetës së krimit që ishte infiltruar në politikë, sot po e përdorin për interesa të vogla elektorale të ditës.

Imagjinoni se ç’mund të bënte Berisha me Roshin, nëse ky i fundit mund të kishte një ndikim apo impakt edhe më të madh, ndoshta mund t’i besonte edhe drejtimin e fushatës së Tiranës, apo edhe më tepër.

Nuk ka patur faj Agron Shehaj që nuk pranoi, diçka do ketë ditur.