Nga janari 2026, nis procesi i pestë i rivlerësimit të pronave në Shqipëri. Sa herë që qeveria kërkon të mbushë arkat e zbrazura të shtetit, shtohen gjobat e policisë, tatimorëve dhe ofrohet një periudhë për rivlerësimin e banesave.
Me një hartë të re të çmimeve të referencës, qytetarët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga norma të reduktuara tatimore, ndërsa tregu i pasurive të paluajtshme pritet të hyjë në një fazë të re transparence dhe besueshmërie. Pas muajsh diskutimesh dhe shtyrjesh institucionale, qeveria shqiptare pritet të miratojë gjatë kësaj vjeshte hartën e re të çmimeve të referencës për pronat. Ky dokument do të jetë baza për nisjen zyrtare të procesit të rivlerësimit të pronësisë, i planifikuar të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm.
Kjo është hera e pestë në 14 vitet e fundit që Shqipëria ndërmerr një proces të tillë. Synimi është i qartë: t’u jepet qytetarëve mundësia të përditësojnë vlerën reale të pasurisë së tyre, duke përfituar një normë të ulët tatimi prej vetëm 5%, krahasuar me 15% që aplikohet zakonisht në rastet e shitjes, dhurimit apo trashëgimisë së një prone.
Së pari, ky proces ofron një avantazh të prekshëm financiar. Tatimi i aplikuar do të jetë vetëm mbi diferencën midis vlerës së vjetër të regjistruar dhe vlerës së re të rivlerësuar dhe kjo me një normë të favorshme 5%. Për shumë familje, kjo përkthehet në mijëra euro të kursyera në rast të një shitjeje apo kalimi të pronës. Së dyti, krijohet një terren më i sigurt ligjor dhe financiar. Çmimet e reja të referencës do të ulin mundësinë e manipulimeve me kontrata fiktive apo çmime të papërputhshme me tregun real. Kjo pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve dhe bizneseve në transaksionet pronësore. Së treti, vetë legalizimet dhe proceset e përfshirjes së pasurisë në ekonomi përmes kolateralit për kredi ose investimeve do të jenë më të qarta dhe më të qëndrueshme.
Sipas parashikimeve, çmimet e reja do të përcaktohen në mënyrë më të detajuar sipas zonave kadastrale. Kjo do të thotë që çdo qytet, lagje apo edhe segment rrugor mund të ketë çmim të diferencuar, bazuar në vlerën aktuale të tregut dhe potencialin zhvillimor të zonës. Në disa zona urbane dhe turistike, rritja e çmimeve të referencës pritet të shkojë deri në 50%. Kjo përfshin zonat bregdetare, qendrat urbane të zhvilluara dhe lagjet me kërkesë të lartë për banesa. Në fillim, kjo rritje mund të sjellë një lloj ngërçi në treg, por në një periudhë afatmesme pritet stabilizim dhe rritje e besueshmërisë.
Ministria e Financave ka konfirmuar se procesi zyrtar do të nisë në janar 2026. Deri atëherë, qytetarët duhet të jenë të informuar mbi
Çmimet e reja të zonës së tyre (të cilat do të publikohen në fund të këtij viti);
Mundësinë për të aplikuar për rivlerësim vullnetar;
Dokumentacionin dhe procedurat që duhen ndjekur për ta përmbyllur me sukses procesin.
Ky rivlerësim nuk do të jetë vetëm një përmirësim i thjeshtë teknik i regjistrit të pronave. Ai përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt formalizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tregut të pasurive të paluajtshme në vend. Sidomos për të frenuar çmimet abuzive në Tiranë. Për qytetarët, është një mundësi për të rritur vlerën e pasurisë së tyre në mënyrë të ligjshme dhe të leverdisshme. Për shtetin, është një instrument për të ndërtuar një sistem më të drejtë dhe më të qëndrueshëm financiar.
Në këtë kontekst, ajo që dikur shihej si një proces burokratik, sot shndërrohet në një mundësi reale për fitim dhe përmirësim të standardeve ekonomike në nivel individual dhe kombëtar. Tani mbetet që qytetarët ta shfrytëzojnë me zgjuarsi dhe institucionet të garantojnë një zbatim të drejtë dhe transparent të tij.