Rikthimi i vështirë në Tokë: Astronautët përballen me rikuperim të gjatë pas 9 muajsh në hapësirë

Kalimi i një periudhe të gjatë në hapësirë ndryshon trupin e njeriut në mënyra të thella dhe rikuperimi mund të zgjasë me vite, paralajmërojnë ekspertët. Astronautët Sunny Williams dhe Butch Wilmore janë kthyer së fundmi në Tokë pas një misioni që u zgjat papritur nga tetë ditë në nëntë muaj në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

“Hapësira është mjedisi më ekstrem ku ka jetuar ndonjëherë njeriu dhe trupi ynë nuk është krijuar për të përballuar këto kushte”, thekson profesori Damian Bailey, studiues i fiziologjisë njerëzore në Universitetin e Uellsit Jugor.

Çfarë ndodh me trupin në hapësirë?

Në fillim, mungesa e gravitetit mund të duket si një gjendje ideale: zemra relaksohet, muskujt dhe kockat shlodhen, dhe lëvizja bëhet e lehtë. Por efekti i gjatë është shumë i rrezikshëm. Muskujt fillojnë të atrofizohen për shkak të mungesës së përdorimit, ndërsa kockat humbasin dendësinë me një ritëm prej 1% çdo muaj, duke përshpejtuar procesin e plakjes.

Edhe zemra dhe enët e gjakut dobësohen, pasi nuk u duhet më të punojnë kundër forcës së gravitetit. Ndryshime të rëndësishme ndodhin edhe në mikrobiomën e trupit – bakteret e mira që jetojnë brenda nesh.

Sfida pas kthimit në Tokë

Astronautët shpesh shfaqen të dobët dhe të paaftë për të ecur vetë pas kthimit. Pamjet tregojnë ndihmësit që i nxjerrin nga kapsulat dhe i vendosin në barela.

Për këtë arsye, gjatë misioneve, ata kryejnë çdo ditë dy orë stërvitje intensive për të ruajtur shëndetin fizik. Megjithatë, rikuperimi i plotë kërkon kohë. Sipas Dr. Helen Sharman, rindërtimi i masës muskulore mund të zgjasë disa muaj, ndërsa rikuperimi i plotë i dendësisë kockore mund të marrë disa vite – dhe as atëherë nuk arrihet gjithmonë gjendja e mëparshme. Sunny Williams dhe Butch Wilmore tashmë kanë nisur një program të posaçëm rehabilitimi për të rikuperuar funksionet e humbura nga qëndrimi i gjatë në mikrogravitet