Sezoni veror shënon kulmin e aktiviteteve muzikore në vend dhe është një nga periudhat më fitimprurëse për artistët shqiptarë. Çdo natë, klubet dhe lokalet më të frekuentuara mikpresin emra të njohur të skenës, duke sjellë atmosferë elektrizuese për turistët dhe fitime të majme për këngëtarët.
Tregu i muzikës live këtë verë ka përjetuar disa ndryshime domethënëse. Disa artistë të vjetër janë zbehur, ndërsa të tjerë kanë bërë rikthime të forta në skenë. Emrat më të përfolur këtë sezon janë Xhensila Myrtezaj, Ledri Vula, Noizy, Elvana Gjata, Bardhi, Dhurata Dora, por edhe ata që duket se janë në rënie, si Enca, Cozman dhe Tuna.
Xhensila në kulmin e karrierës pas divorcit
Xhensila Myrtezaj është ndër emrat më të kërkuar të sezonit. Pas publikimit të disa projekteve të reja dhe ndarjes nga Bes Kallaku, ajo ka parë një rritje të ndjeshme në popullaritet dhe tarifa. Me deri në 3 koncerte brenda një dite dhe çmime që shkojnë deri në 8 mijë euro, Xhensila ka përjetuar një rikthim të fuqishëm në skenë.
Ledri, mbreti i verës
Ledri Vula ka rrëmbyer fronin e meshkujve më të paguar, duke lënë pas edhe Noizy-n. Me një agjendë të ngjeshur në Europë dhe SHBA, tarifat e tij luhaten mes 5 dhe 10 mijë eurove për koncert. Edhe statusi i tij si beqar duket se ka ndikuar në shtimin e kërkesave.
Elvana më selektive, por e paguar mirë jashtë vendit
Elvana Gjata është më e përmbajtur në koncertet brenda Shqipërisë, duke preferuar kryesisht eventet në diasporë. Megjithëse më pak aktive, ajo vijon të marrë deri në 8 mijë euro për një natë live.
Noizy, nga i padiskutueshëm në selektiv
Ndërkohë Noizy ka ndryshuar strategji. Ai është bërë më selektiv dhe më i fokusuar në projekte të reja. Tarifat e tij arrijnë deri në 5 mijë euro, shumë më pak nga periudha e tij më intensive ku mbante deri në 3 evente në një natë.
Bardhi dhe Dhurata në rritje
Bardhi dhe Dhurata Dora po përjetojnë një verë të suksesshme. Bardhi kërkohet shumë në Kosovë dhe Shqipëri me tarifa nga 5 në 7 mijë euro, ndërsa Dhurata Dora ka arritur deri në 6 mijë euro për koncert, një rritje e konsiderueshme nga vitet e mëparshme.
Emra në rënie: Enca, Cozman dhe Tuna
Ndërsa disa artistë po shënojnë sukses, të tjerë janë në rënie. Enca nuk ka më një hit dominues dhe është larguar nga netët live. Cozman, pavarësisht një tentative rikthimi me Tunën verën e kaluar, nuk ka mundur të rikthejë pozicionin e tij të dikurshëm. E njëjta gjë vlen edhe për Tunën, e cila dikur ishte një nga artistet më të paguara në treg, por sot nuk arrin të zërë më vend në agjendat verore të eventeve muzikore.








