FLASH :

Rikthehet pas 30 vjetësh gekoja e rrallë që konsiderohej e zhdukur në Afrikën e Jugut

Një specie gekoje që nuk ishte parë që nga viti 1991 dhe që konsiderohej e zhdukur, është rizbuluar në një nga zonat më të paarritshme të Afrikës së Jugut. Studiuesit Darren Pietersen dhe John Davies nga Fondi i Jetës së Egër në Rrezik u lanë me helikopter në kanionin e thellë Blyde Rondavel në Provincën Mpumalanga, ku kjo specie u identifikua për herë të parë.

Pas më shumë se tre dekadash misteri dhe spekulimesh mbi ekzistencën e saj, ata arritën të gjenin deri në 30 ekzemplarë të gekos së sheshtë, duke fotografuar shtatë prej tyre.

Kjo specie, e njohur si Blyde River Flat Gecko, ishte klasifikuar si “specie e humbur”, pasi nuk ishte regjistruar për më shumë se 10 vjet. Rizbulimi vjen pas një kërkimi intensiv dyvjeçar, që përfshiu leje të shumta dhe një ekspeditë të rrezikshme tre-ditore në shkëmbinj të pjerrët mbi 100 metra të lartë.

“Më shqetëson fakti që kemi shumë specie me mungesë të dhënash,” tha Pietersen, i cili është i përkushtuar ndaj studimeve të specieve të rralla dhe pak të njohura. Rizbulimi i gekos shënon kafshën e pestë që Fondi ka gjetur sërish gjatë viteve të fundit, përfshirë edhe një urith që nuk ishte parë prej më shumë se 80 vjetësh.

Ky zbulim jo vetëm që rikthen në vëmendje një specie të rrallë, por edhe nënvizon se sa shumë mbetet për t’u zbuluar rreth biodiversitetit të planetit tonë. Studiuesit tashmë po analizojnë mostrat e indeve të mbledhura për të konfirmuar nëse kjo geko përbën një specie të veçantë.