FLASH :

Revoltë në burgun italian, plagosen 6 roje

Gjashtë agjentë të policisë penitenciare në burgun e Porto Azzurro, në ishullin Elba, janë dërguar në urgjencën e spitalit të Portoferraios të intoksikuar nga tymi.

Incidenti ndodhi pasditen e së dielës, kur disa të burgosur dyshohet se i kanë vënë zjarrin dy qelive dhe sulmuan stafin e sigurisë.

Agjentët ndërhynë për të shuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit, por u ekspozuan ndaj tymit të dendur dhe u lënduan gjatë përpjekjes për të kontrolluar situatën.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e incidentit dhe për të identifikuar autorët e këtij akti të rëndë brenda ambienteve të burgut.

Ngjarja ka rindezur shqetësimet mbi kushtet në burgjet italiane dhe mbi sigurinë e stafit të policisë penitenciare, të cilët gjithnjë e më shpesh përballen me episode të dhunshme nga ana e të dënuarve.