Një restorant tradicional në fshatin Fiscardo të Greqisë është vënë në qendër të kritikave online pasi pronarët e tij shpallën me krenari vizitën e Kylie Jenner, duke e cilësuar një “nder të vërtetë” mikpritjen e yllit të “The Kardashians”.
Postimi në Instagram nga familja Dendrinos, që menaxhon restorantin 53-vjeçar “Tassia” në ishullin e Kefalonisë, e përshkroi Jenner si “një nga gratë më influente të brezit të saj” dhe “një mysafire frymëzuese”. Vetë Kylie ndau një foto duke ngrënë me shoqen e saj Anastasia Karanikolaou pranë portit. Por menjëherë pas postimit, restoranti u përball me valë zemërimi nga ndjekësit, të cilët e konsideruan tepricë ta cilësosh një nder mikpritjen e një ylli të rrjeteve sociale.
“Po për çfarë nderi? A ka shpikur ndonjë ilaç apo thjesht ka një të pasme të madhe?”, shkroi një përdorues në Instagram. Të tjerë e akuzuan Jenner për promovimin e standardeve të rreme të bukurisë dhe ndikim negativ te vajzat e reja. Madje disa komentues i bënë thirrje për bojkot restorantit, duke e quajtur mburrjen si një “anti-flex”.
Megjithatë, pati edhe nga ata që e mbrojtën familjen Dendrinos, duke e konsideruar reagimin e ndjekësve si “xhelozi të pastër”. Restoranti “Tassia”, i njohur për kuzhinën tradicionale dhe përbërësit lokalë nga kopshti i vet, ka pritur më parë edhe yje si Magic Johnson, Demi Moore dhe Samuel L. Jackson.
Vizita e Kylie Jenner në Greqi erdhi pas dasmës madhështore 56 milionë dollarëshe të Jeff Bezos në Itali, ndërsa partneri i saj, aktori Timothée Chalamet, mungoi në udhëtim. Pavarësisht tronditjes online, duket se “Tassia” mbetet një destinacion i preferuar për të famshmit – edhe kur fansat nuk e pëlqejnë zgjedhjen.

