Ky është Renis Dobra i cili u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit. Shkaqet e ngjarjes nuk dihen ende, ndërkohë që sipas policisë automjeti me të cilën lëvizte i riu ka rënë në liqen. Sipas burimeve nga grupi hetimor, në trupin e viktimës janë konstatuar shenja të dukshme dhune, përfshirë mavijosje në zonën e fytit. Këto shenja ngjallin dyshime të forta se i riu është mbytur fillimisht me litar dhe më pas është hedhur në zonën e Shkopetit, me qëllim për të fshehur krimin.
Familjarët e viktimës fillimisht dyshuan se ai ishte ndaluar nga policia dhe u paraqitën në Komisariatin e Matit për të pyetur nëse ishte shoqëruar. Pasi janë informuar se i riu nuk ndodhej në polici, kanë nisur menjëherë kërkimet. Mbrëmjen e kaluar, babai i viktimës, shtetasi R. D., paraqiti kallëzim në Komisariatin e Policisë së Matit duke raportuar zhdukjen e të birit. Sipas deklaratës së tij, djali nuk ishte kthyer në banesë dhe nuk kishte asnjë kontakt me familjen.
Menjëherë pas denoncimit, forcat policore nisën kërkimet për gjetjen e 23-vjeçarit Renis Dobra. Pas disa orësh kontroll në zonat përreth, trupi i pajetë u gjet pranë liqenit, në një zonë të pyllëzuar dhe të izoluar. Automjeti i tij dyshohet se përfundoi në ujë pas sulmit. Hetimet janë marrë në dorë nga një grup i posaçëm hetimor, ndërsa Prokuroria e Rrethit të Matit ka nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare mbi motivet e mundshme të kësaj vrasjeje.
Ende nuk dihet nëse viktima kishte konflikte të mëparshme apo nëse atentati ishte i planifikuar. Megjithatë, fakti që trupi i pajetë u gjet jashtë automjetit ka ngritur dyshime të forta për një ndërhyrje nga persona të tretë. Pas hapjes së kamerave gjatë rrugës, është zbuluar një mjet që shoqëronte makinën e të riut nga fshati Zenisht deri në qytetin e Burrelit.