Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë për janar-prill 2025, numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar në spitale ka shënuar rënie me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ulje më e ndjeshme është vërejtur te shtrimet në spitalet psikiatrike, me 3.4% më pak, duke reflektuar një ndryshim pas rritjes që u shënua gjatë vitit 2023.
Megjithatë, në kontrast me këtë tendencë, është regjistruar një rritje alarmante e trajtimeve në kardiologji, me 18% më shumë raste krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 3,899 pacientë – niveli më i lartë që nga viti 2020. Mjekët e lidhin këtë rritje me faktorë si ndotja e ajrit, stili i jetesës sedentare dhe ushqyerja e pashëndetshme. Të dhënat e INSTAT konfirmojnë se sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbetën shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend, duke përbërë 52.9% të totalit të vdekjeve në 2024.
Në këtë periudhë u rritën gjithashtu trajtimet për kataraktin me 15% dhe seancat e dializës me 3%, duke arritur në 68,848. Ndërkohë, urgjenca mjekësore u rrit me 6%, pas një rënieje të ndjeshme pas pandemisë. Në të kundërt, radioterapia shënoi rënie me 15%, duke kaluar nga 10,133 pacientë në 8,662.
Për barnat e rimbursueshme, janë trajtuar 333,283 pacientë – 15% më pak se në 2024. Janë shpenzuar 3.8 miliardë lekë, ose 31% e planit vjetor. Për fishat e diabetit përfituan 46,048 pacientë, me një rritje prej 3,641 përdoruesish. Pas VKM-së së vitit të kaluar, përfituesve iu shtuan edhe invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar. Ndërkohë, numri i barnave të listës së rimbursueshme u rrit nga 1,191 në 1,345, duke përfshirë më shumë patologji onkologjike, kardiovaskulare e kronike.








