FLASH :

Rënia pikiatë e çmimeve / Agjenti hidhet nga kati i dytë që të shesë vilën duke rrezikuar jetën

Rënia e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme në Tiranë ka hyrë në një fazë të re, duke u bërë tashmë e dukshme edhe për publikun. Agjentët imobiliarë, të cilët deri dje flisnin për rritje të pandalshme dhe “inflacion me llafe”, sot po e pranojnë hapur: apartamentet dhe vilat po shiten me ulje drastike.

Vetë agjentët, që dikur përpiqeshin të krijonin ethe blerjeje, sot publikojnë video me oferta dhe zbritje të paprecedenta, duke pranuar se flluska e tregut po plas.

Kriza e tregut të pasurive të paluajtshme ka sjellë edhe situata të pazakonta. Një agjent imobiliar, në përpjekje për të bindur klientët të blinin një vilë, ka zgjedhur një mënyrë ekstreme për të bërë prezantimin: ai u hodh nga kati i dytë i objektit që po shiste, duke rrezikuar seriozisht jetën. Një skenë që simbolizon më mirë se çdo statistikë se çmimet kanë marrë “pikiatë” dhe se tregu po kalon ditët e tij më të vështira.