Numri i të huajve që morën shtetësinë gjermane në vitin 2024 ka arritur një rekord të paprecedentë, i nxitur kryesisht nga një reformë e rëndësishme ligjore. Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden, gjithsej 291.955 persona u natyralizuan gjatë vitit të kaluar – një rritje prej 46% krahasuar me vitin 2023.
Pjesa më e madhe e të natyralizuarve vinin nga Siria, me 28% të totalit, ndjekur nga shtetas turq (8%), irakianë (5%), rusë (4%) dhe afganë (3%). Rritja më e madhe përqindore u regjistrua te qytetarët rusë – nga 1.995 në vitin 2023 në 12.980 në 2024, një rritje prej 551%.
Mesatarja e qëndrimit në Gjermani përpara natyralizimit ishte 11.8 vjet, por ndryshonte sipas kombësisë: për sirianët 7.4 vjet, për turqit 23.1 vjet, për rusët 14.5 vjet, për irakianët 8.7 vjet dhe për afganët 8.9 vjet.
Reforma ligjore e qershorit 2024 ka luajtur rol kyç në këtë bum natyralizimesh. Sipas ligjit të ri, qëndrimi minimal i kërkuar për marrjen e shtetësisë është reduktuar nga tetë në pesë vjet, ndërsa për raste me integrim të veçantë – si arritje akademike apo profesionale – mjaftojnë vetëm tre vjet. Kjo përfshiu rreth 7% të aplikantëve në 2024.
Ndryshimi tjetër i rëndësishëm ishte lejimi i shtetësisë së dyfishtë, që nënkupton se aplikantët nuk duhet të heqin dorë nga shtetësia e mëparshme.
Megjithatë, qeveria e re federale ka bërë të ditur se do të anulojë natyralizimin e shpejtë, duke e rikthyer periudhën minimale në pesë vjet edhe për rastet e integrimit të shpejtë. “Shtetësia gjermane duhet të jetë rezultati i një integrimi të plotë, jo pika e nisjes,” deklaroi Ministri Federal i Brendshëm, Alexander Dobrindt, duke kritikuar qasjen e mëparshme të qeverisë Scholz.