Sektori i zjarrfikësve në Shqipëri, që prej Reformës Territoriale të vitit 2015, është transferuar nën administrimin e bashkive, por pa fonde dhe mjete shtesë, duke lënë shumë prej tyre pa mjetet dhe pajisjet e nevojshme për reagim efikas.
Në kushtet e anonimatit, një drejtues i sektorit të zjarrfikësve në një nga bashkitë e mëdha tha se rreziku nga zjarret është në rritje, si në dimër ashtu edhe në verë, por jo të gjitha bashkitë kanë kapacitete dhe mundësi për ta zhvilluar sektorin e mbrojtjes nga zjarri.
Kur u krye reforma, bashkitë e mëdha me qendër qarku trashëguan mjete dhe stacione pompimi kundër zjarrit, por bashkitë e reja që dolën nga reforma nuk kishin asnjë mjet apo strukturë. Për shembull, në qarkun e Tiranës, Bashkia e Tiranës dhe ajo e Kavajës kishin struktura dhe mjete, por bashkia e Kamzës, Vorës dhe Rrogozhinës nuk kishin as struktura dhe as fonde — ngritën gjithçka nga zero.
Bashkitë e vogla të tilla si Gramshi, Delvina, Tepelena etj., që aktualisht janë përfshirë nga flakët, kanë mundësi financiare të kufizuara për të zhvilluar një sektor efikas kundër zjarrit, ndërkohë që administrojnë territore me pyje të mëdha — shpeshherë më shumë se bashkitë e mëdha me qendër qarku.
Reforma nuk u shoqërua me mbështetje financiare dhe shumë nga bashkitë u detyruan të krijonin nga e para shërbimin e zjarrfikëses, duke përdorur fonde të veta. Disa ishin më të përgatitura, të tjera jo. Drejtuesi i zjarrfikësve theksoi se rritja e investimeve dhe trajnimeve është jetike për përballimin e rreziqeve që po shtohen vit pas viti.
“Është gati njësoj si të transferosh shërbimin spitalor tek bashkitë, por pa godina, mjete dhe mjekë,” shpjegoi ai. Duhen qartësuar kompetencat ligjore dhe gjithashtu mundësitë për trajnime.
Në këtë sektor, një zjarrfikës gjatë karrierës merr grada — por gradat i jep pushteti qendror, ndërsa pagat i cakton pushteti vendor. Aktualisht, pagat janë më pak se 50 000 lekë, një shumë e pamjaftueshme për të tërhequr të rinj me aftësi fizike të nevojshme.
Rreziqet nga zjarret po rriten ndjeshëm vitet e fundit, si në dimër ashtu edhe në verë. Në dimër, banesat digjen për shkak të mosrespektimit të masave kundër zjarrit në ndërtim. Në verë, temperaturat e larta shkaktojnë zjarre të mëdha. Zjarrfikësit theksojnë se dora njerëzore është shkaku kryesor i zjarreve, përfshirë djegien e mbeturinave në ara dhe përhapjen jashtë kontrollit, veçanërisht gjatë kësaj vere./Monitor