FLASH :

Real Madridi është perfekt, fiton 1-2 në Sociedad me dhjetë futbollistë

Për raundin e katërt në La Liga, Real Madridi siguroi tri pikë në Sociedad.

Real Madridi ka ruajtur ecurinë perfekte në La Liga , duke fituar 1-2 në transfertë ndaj Real Sociedad, pavarësisht se luajti për më shumë se një orë me dhjetë lojtarë.

Skuadra e Xabi Alonsos e nisi ndeshjen mirë dhe kaloi në avantazh në minutën e 12-të me golin e Kylian Mbappe. Megjithatë, situata u komplikua pas gjysmë ore lojë, kur Huijsen u ndëshkua me karton të kuq si lojtari i fundit.

Edhe pse në inferioritet numerik, madrilenët gjetën forcën për të dyfishuar rezultatin në fund të pjesës së pare. Një aksion personal i Mbappe në krahun e majtë u finalizua me asist për Arda Guler, i cili shënoi për 0-2. Në fraksionin e dytë, baskët shtuan presionin dhe arritën të ngushtonin diferencën me një penallti të shndërruar në gol nga Oyarzabal në minutën e 56-të. Përpjekjet e vendasve për të barazuar nuk mjaftuan dhe “Galaktikët” morën tri pikë të arta.

Me këtë fitore, Real Madridi ngjitet në kuotën e 12 pikëve, pesë më shumë se Barcelona, duke regjistruar katër fitore në po aq ndeshje. Ndërkohë, Real Socieded mbetet me vetëm dy pikë, ende në kërkim të fitores së parë të sezonit.