Një dhëndër i emocionuar humbi ndjenjat në altar gjatë ceremonisë së martesës, në një moment të frikshëm që është filmuar dhe tashmë po qarkullon me shpejtësi në rrjete sociale.
Pamjet tregojnë Gustavo Schmitz, 23 vjeç, duke qëndruar pranë të fejuarës së tij Pamela Berto Schmitz, 25 vjeç, ndërsa po shkëmbenin betimet në Santa Catarina, Brazil, të shtunën.


Çifti po priste të thoshte “Po” kur Gustavo filloi të lëkundej. I kapluar nga emocionet, ai ra përmbys ndërsa pastori nxitoi drejt tij për ta ndihmuar.
Të ftuarit vrapuan menjëherë për t’i ardhur në ndihmë, dhe një nga miqtë e dhëndrit, i cili është mjek, i dha ndihmën e parë dhe bëri të mundur që ceremonia të vazhdonte.
Gustavo ia atribuoi të fikëtit emocioneve të ditës së martesës – dhe bukurisë së jashtëzakonshme të nuses në altar.
“Vuaj shumë nga ankthi, marr edhe ilaçe,” u shpreh ai për median braziliane NSC. “Pastaj, duke u shtuar edhe gjithë ngutja, fakti që s’kisha ngrënë thuajse asgjë gjatë ditës dhe mbi të gjitha, që e pashë të fejuarën time kaq të bukur.”

Videoja ka mbledhur miliona shikime në rrjetet sociale, duke i detyruar çiftin të reagojë ndaj vëmendjes së madhe.
“Jemi mirë, të martuar dhe të lumtur, ishte thjesht një frikë e madhe,” shkroi Pamela në Facebook.
Gustavo nuk e kujton momentin e rrëzimit, por Pamela i kujtoi se ai i kishte thënë në altar se nuk ndjehej mirë – një gjë që ajo nuk e mori seriozisht, pasi ai është i njohur për shakara.
“Unë gjithmonë them se nëse nuk ka për të ndodhur ndonjë rrëmujë, s’dal fare nga shtëpia,” u shpreh Gustavo me humor.