FLASH :

Rama vizitë në QSUT: ‘Onkologjiku’ na uli kokat të gjithëve, askush nuk i përmend 94 mijë operacionet në vit si lajm të mirë

Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, fëmijët të cilët do të kalojnë festat e fundvitit në spital, shërbimin e Onkologjikut si dhe gjithë stafin mjekësor.

Rama nuk kaloi pa komentuar skandalin që shpërtheu një vit më parë në departamentin e Onkologjikut, për të cilin tha se ishte një njollë që u pagua nga të gjithë. Kryeministri vijoji të thotë se rreth 95 mijë ndërhyrje në trupin e njeriut në vit, duke theksuar këtu rezultatet në shërbimin mjekësor, nuk përbëjnë lajm, por një operacion i dështuar apo një tragjedi, është bujë në publik.

“Është sakrifica dhe përkushtimi i të gjithë mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të Urgjencës Kombëtare, si dhe i gjithë stafit mbështetës, që punojnë çdo orë dhe çdo ditë të vitit pa pushim, duke shpëtuar jetë dhe duke shëruar njerëz të sëmurë. E mira nuk bën lajm, e keqja po. Natyrisht, rreth 60 mijë operacione të suksesshme që kryen shërbimi ynë shëndetësor çdo vit dhe mbi 35 mijë ndërhyrje mikrokirurgjikale, të cilat janë të suksesshme, nuk bëhen lajm, sepse nuk janë lajme të këqija.

Mjafton një operacion i dështuar, mjafton një tragjedi, për ta kthyer në të kundërt perceptimin për të gjithë trupën e mjekëve dhe për gjithë shërbimin tonë kombëtar shëndetësor. Kur ndodh që brenda këtij shërbimi identifikohen individë apo veprimtari që njollosin bluzën e bardhë, kostoja e reputacionit është shumë e lartë dhe e paguajnë të gjithë.

Në fund të ditës, si ata që e dinë çfarë do të thotë të shërbesh, ashtu edhe ata që marrin shërbim, e dinë se pjesa pozitive është ajo që dominon. Para se të vinim këtu, kujtuam Onkologjikun, që, siç e dini, u bë shkas në një moment të caktuar për të ulur kokën të gjithë përballë fakteve që nuk nderojnë askënd. Megjithatë, takuam disa pacientë që ishin shumë të kënaqur me shërbimin dhe ishin të sinqertë në fjalët e tyre.

I thoja drejtoreshës dhe ministres se opinioni ushqehet me një negativitet të madh për shërbimin shëndetësor nga ata që nuk kanë marrë shërbim në spital. Pjesa dërrmuese e atyre që kanë marrë shërbim, i kujtojnë mjekët për mirë”, tha Rama.