Qeveria i ka dhënë vetes, të drejtën që të përcaktojë hotelet me 4 apo 5 yje në vend, si dhe licencat përkatëse për kazinotë.
Nga ideja se një gjë e tillë do të bëhej nga një agjenci e mirënjohur ndërkombëtare, qeveria e Ramës përfundoi duke ia dhënë ministrisë së Kumbaros tagrin për të përcaktuar se kush merr 4 dhe 5 yjet në vend dhe kush merr kazinotë.
Këto të fundit, përflitet se i përcakton në mënyrë klienteliste dhe në prapaskenë vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, i cili nuk është i panjohur për kronikat e botës së krimit, shih këtu rastin e dosjes “Xibraka”.
Një kontroll i tillë direkt i qeverisë dhe zvarritja pa fund për t’ia besuar një agjencie ndërkombëtare këtë tregon edhe frikën që qeveria ka se një agjenci e huaj dhe e pavarur mund të vlerësonte vetëm mbi kritere teknike dhe profesionale dhe jo me kriteret e botës së errët të nëndheshme të parave të pista, parave të drogës dhe korrupsionit politik, që pastrohen e lahen më së miri përmes lojërave të fatit dhe konkretisht kazinove.
Për një vendim të tillë ka reaguar edhe Qëndresa Qytetare, e cila vlerëson se ky vendim ngre shqetësime serioze për mungesë transparence, kritere të paqarta dhe mundësi për abuzim, siç koha ka treguar në të shkuarën.
“Një tjetër pyetje që shtrohet është se përse është ky nxitim i qeverisë për të klasifikuar struktura akomoduese, pikërisht tani kur një tjetër vendim kërkon që kazinotë të hapen vetëm në hotele me 5 yje? Si është e mundur që pikërisht për këtë çështje të rëndësishme, siç është klasifikimi i strukturave turistike, qeveria nuk arrin dot të kontraktojë një agjenci ndërkombëtare? Kjo kompetence e re e Ministres Mirela Kumbaro mund të rezultojë një kriter i lehtë për të gjithë ata që aspirojnë licensë lojërash fati dhe hotelesh me 5 yje” – shprehet organizata e shoqërisë civile në reagimin e saj.