FLASH :

Rama ultimatum kryebashkiakëve: Deri të hënën të shkarkohen të gjithë kryetarët e njësive administrative

Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte në Durrës të gjithë kryetarët e bashkive të vendit, ku dha disa urdhra dhe paralajmërime të forta që lidhen me reformimin e pushtetit vendor, ndërtimet pa leje dhe menaxhimin e mbetjeve dhe ujësjellësve.
Një ndër vendimet më të forta të komunikimit ishte kërkesa e drejtpërdrejtë ndaj të gjithë kryetarëve të bashkive që të shkarkojnë brenda ditës së hënë të gjithë drejtuesit e njësive administrative. Sipas Ramës, ky veprim do të hapë rrugën për një rikonfigurim të administratës vendore, duke u dhënë mundësi individëve më të aftë.

  1. Ultimatum për shkarkime në administratën vendore:
    “Kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë duhet të shkarkohen të gjithë. T’iu ri-jepet mundësia, por duke iu dhënë mundësi edhe të tjerëve që mund të jenë më të zotë. Shpresoj që të hënën të gjithë të jenë të shkarkuar”, deklaroi Rama.
  2.   Vazhdim i reformës edhe në Elbasan e Lushnjë:
    Kryeministri nënvizoi se pas largimeve në bashki të tjera, priten dorëheqje dhe shkarkime edhe në Elbasan dhe Lushnjë. “Duhet bërë e njëjta gjë si në bashkitë e tjera: pezullim i plotë, shkarkim i drejtorëve me dorëheqje, për t’u dhënë mundësi të tjerëve”, tha Rama.
  3. Qendër digjitale kundër ndërtimeve pa leje:
    Në kuadër të luftës kundër informalitetit, Rama paralajmëroi ngritjen e një qendre digjitale që do të monitorojë në kohë reale të gjitha ndërtimet në vend përmes kamerave online dhe sistemeve GPS në kantierë.
    “Të gjitha kantieret duhet të pajisen me kamera 24 orë dhe të jenë të monitorueshme. Do të ketë edhe GPS për të ndjekur trafikun e materialeve dhe të mbetjeve, për të parandaluar evazionin,” tha ai.
  4. Sanksione të forta ndaj arkitektëve:
    Kryeministri paralajmëroi masa të rënda për arkitektët që bashkëpunojnë me ndërtuesit për shkelje të lejeve. “Arkitektëve do t’u hiqet licenca dhe do të përballen me pasoja penale”, theksoi Rama, ndërsa shtoi se nuk do të jepen më kontrata uji apo energjie për ndërtime pa leje.
  5. Reformë kombëtare për ujin dhe mbetjet:
    Rama shpalli gjithashtu ngritjen e një operatori kombëtar për sistemin e shpërndarjes së ujit dhe një korporate kombëtare për trajtimin e mbetjeve, duke goditur strukturat e fryra dhe joefikase.
    “Mund ta përfytyroni një drejtor UKT me 30 veta në zyrë. Kështu ishte në Tiranë. Çudira ka pasur shumë,” deklaroi ai.
    Takimi u zhvillua në kulmin e sezonit turistik, ndërsa kreu i qeverisë mbajti një fjalim kritik ndaj performancës së bashkive dhe njoftoi fillimin e një faze të re të reformave territoriale dhe administrative.