Edi Rama duket se po e nis hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian jo nga zgjidhja e problemeve thelbësore që e mbajnë vendin mbrapa, por nga shembja e lokaleve dhe kioska-ve. Me çdo video të publikuar, kryeministri mundohet ta shesë prishjen e një ndërtese pa leje si hap drejt standardeve europiane, Por ndërkohë produktet shqiptare nuk arrijnë të kalojnë testet bazike të cilësisë në Kroaci, duke u refuzuar nga tregu europian. Kështu, integrimi shndërrohet në një spektakël të fadromave, ndërsa problemet e vërteta vazhdojnë të mbeten në hije.
Ky fakt tregon qartë se sfidat e integrimit nuk lidhen me betonin dhe llamarinat, por me standardet e cilësisë, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit , fusha ku Shqipëria vijon të mbetet shumë prapa.
Realiteti i mjedisit në vend është krejt tjetër, ndotja, deponitë e hapura dhe menaxhimi i dështuar i plehrave mbeten plagë të përditshme. Malet e mbeturinave pranë qyteteve, mungesa e riciklimit dhe lumenjtë e mbushur me plehra tregojnë se Shqipëria është ende larg vizionit “të gjelbër” të BE-së.
Integrimi europian nuk do të matet me numrin e lokaleve të prishura, por me aftësinë e Shqipërisë për të përmbushur standardet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Derisa ndotja, plehrat dhe cilësia e ushqimeve të mbeten plagë të hapura, hyrja në BE do të mbetet vetëm një shfaqje , jo një realitet që ndryshon vendin.