Tashmë është bërë e qartë për të gjithë, që Rama i vetëm nuk arrin dot t’i bëjë 71 mandate.
Edhe në televizionin pro-qeveritar Top Channel, nga një sondazh të kryer nga McLaughlin & Associates del se Partia Socialiste (PS) do të fitonte me 49.2% të votave, ndërsa Partia Demokratike (PD) do të siguronte 35.7% të mbështetjes nëse votimet do të kryheshin këto ditë.
Pra PS nuk do të mund të arrinte e vetme shumicën e thjeshtë parlamentare që i duhet për të krijuar qeverinë, sikurse ka bërë në dy mandatet e fundit.
Në këtë pikë, është e rëndësishme të kuptohet se më kë mund të krijonte koalicion qeverisës PS. Përgjigja e kësaj, do ta bënte të qartë për elektorët edhe se cilat parti janë paterica të Edi Ramës dhe cilat jo, në mënyrë që ata ta kenë me të qartë se kë të votojnë.
Sipas këtij sondazhi partitë e reja rezultojnë me këto përqindje votimi të mundshëm:
• Shqipëria Bëhet – 6.8%
• Mundësia – 1.6%
• PSD – 1.2%
• Lëvizja Bashkë – 0.9%
• Koalicioni Euroatlantik – 0.7%
• Nisma Thurje – 0.2%
• Parti të tjera – 0.3%
• Të pavendosur/refuzoj të përgjigjem – 3.4%
Nisma Thurje dhe Shqipëria bëhet, sorosianët në veprim
Nëse Nisma Thurje dhe Shqipëria Bëhet, arrijnë të dalin me 7% të votave në rang kombëtar, ky do të ishte një sukses relativ. Kjo sepse së pari, sistemi zgjedhor është në rang qarku, që do të thotë, që vota ka peshe dhe nxjerr deputetë nëse është e përqëndruar në qarqe dhe jo në rang Republike. Nëse këto forca do të arrinin të nxirrnin dy deputetë në total, ky do të ishte një sukses. Kjo forcë do të errte peshë për ndikimin që mund të kishte për krijimin e qeverisë së ardhshme. Duke qenë se si Nisma Thurje, ashtu edhe Shqipëria Bëhet, kanë lidhje të ngushta Sorosiane, ashtu sikurse Edi Rama dhe Erion Veliaj, një Pazar ndërmjet tyre, do të ishte gjëja më natyrale e mundshme.
Partia Mundësia e Agron Shehajt vështirë se përkulet
Ndërkohë nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Partinë Mundësia. Kjo forcë, e cila ndryshe nga sorosianët e lartpërmendur, nuk është lëvizje majtiste, por e së djathtës së re konservatore, i ka të gjitha mundësitë që ta nxjerrë të paktën Shehajn deputet në Tiranë. Agron Shehaj, zor se do të bënte koalicion me Edi Ramën. Ndryshe nga partitë e hallexhinjve, që shiten për një kockë, Shehaj është një self-made milioner, dhe ai e di mirë që nëse nuk i bëhet tapet kryeministrit, kjo vetëm sa do ta forcojë edhe më shumë si forcë politike dhe do ta bëjë faktor ndikues në rritje në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe në ato parlamentare të pas 4 viteve.
PSD e Tom Doshit
Partia e Doshit mendohej se do të kishte qenë më e fortë se në zgjedhjet e kaluara, por numri në rritje i partive të reja, duket se në mënyrë të papritur e ka de-faktorizuar dhe tashmë as paratë e tenderave dhe lejeve të ndërtimit me të cilat e ka nginjur qeveria, nuk do t’i bëjnë më punë. Në këtë pikë, për Doshin diskutohet nëse do të nxjerrë apo jo vetëm një deputet. Nëse e arrin këtë në Tiranë ose Shkodër, padyshim që Doshi do ta bashkonte votën me atë të padronit të tij politik, Ramën.
Partia e Bashës dhe Arlind Qori, njëri me Ramën, tjetri kundra
Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, ka disi më shumë mundësi se partia sharlatane e Bashës, që është patericë e Edi Ramës, që të nxjerrë një deputet në Tiranë. Edhe nëse ky deputet do të ishte “oligarku” Red i Muçit, babai i të cilit është ortak me Artan Dulakun në Ksamil, zor se marksistët dogmatikë dhe të ngurtë të Qorit do t’i shtrinin dorën regjimit të Ramës.
Ndërkohë që Partia e Bashës e ka thuajse të pamundur që të nxjerrë një deputet, ajo është aty thjesht për t’i hequr rreth 15-18 mijë vota Partisë Demokratike në rang Republike, çka është e mjaftueshme për t’ia bërë dëmin në favor të Ramës.
Përfundim
Në këtë pikë, një PS me 70 deputetë, 2 të Lapaj-Shabani dhe 1 të Doshit, pra me 73 deputetë, do të ishte një shumicë e brishtë, e cila mund të rrëzohet lehtë, nga vetë allishverishet dhe korrupsioni që e ka gërryer qeverinë këto 12 vjet dhe nga lufta e brendshme për pushtet. Gjithashtu, dyashja Lapaj-Shabani, do të tregohej naive, nëse nuk do ta shfrytëzonte rastin, për të hyrë në qeveri dhe më pas për ta rrëzuar qeverinë dhe çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, çka mund ta fakrtorizonte shumë më tepër se sa duke vegjetuar në pushtet këtë forcë, si dhe do ta vendoste përballë opozitës së re që po krijohet, asaj të Partisë Mundësia të Agron Shehaj.
Në një situatë të tillë hipotetike, dalin të humbura dhe të dobësuara PS dhe PD, dhe PSD dhe forcohen partitë e reja, qoftë majtas, qoftë djathtas, gjithnjë nëse sorosianët e presin në besë njëri-tjetrin.







