Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra pas sherrit të dhunshëm që ndodhi mbrëmjen e djeshme në një hotel në Vlorë, ku nënkomisari Ardian Isufi dhe shoku i tij Leart Bimo dhunuan me grushte dhe shuplaka një kamarier 18-vjeçar, vetëm sepse ai u kishte sjellë një shishe ujë më tepër se porosia.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rama deklaron se efektivi Isufi, i pezulluar përkohësisht nga detyra, nuk duhet të rikthehet më në strukturat e Policisë së Shtetit dhe duhet t’i dorëzohet drejtësisë sapo të dalë nga spitali.
“Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë,” shkruan Rama, duke e marrë de facto vendimin për “shkarkimin” e efektivit, edhe pse ligjërisht kjo kompetencë nuk i takon atij.
Në hierarkinë shtetërore, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit (Ilir Proda) është në vartësi të ministrit të Brendshëm (Taulant Balla), ndërsa shefat e komisariateve janë në vartësi të drejtorit të Policisë. Megjithatë, në këtë rast, Rama është parë të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë vendime që formalisht i përkasin ministrisë përkatëse, duke treguar se ai kontrollon jo vetëm drejtimin politik, por edhe veprimet administrative të institucioneve të sigurisë.
Faqja satirike “Brryli” ka aluduar se ministri i Brendshëm mund të jetë hezitues për të ndërmarrë veprime kundër Isufit, për shkak të një frike të mundshme nga drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda, çka mund të shpjegojë mungesën e reagimit të tij përtej një pezullimi formal.
Nga ana tjetër, kujtojmë se Ardian Isufi ndodhet aktualisht në spital, pasi u godit nga pronari i hotelit, Vasil Bedinaj, i cili ndërhyri në mbrojtje të kamarierit. Bedinaj ka qenë më parë i përfshirë në episode të dhunshme një vit më parë goditi me grusht një qytetar që u ankua për bllokimin e hapësirave publike nga hoteli i tij.
Ngjarja në Vlorë ka shkaktuar reagime të forta publike dhe trazuar rrjetet sociale, duke rikthyer debatin mbi standardet e sjelljes së efektivëve jashtë shërbimit, por edhe mbi mënyrën se si qeveria ndërhyn drejtpërdrejt në vendime që duhet të ishin institucionale.