Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video të re në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku tregon momentin e shembjes së një lokali në Tiranë, duke theksuar se aksioni i IMT-së (Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit) do të vazhdojë pa ndërprerje.
Në pamjet e publikuara, shihet lokali “Varka”, i cili është shkatërruar plotësisht nga fadromat, ndërsa Rama e ka shoqëruar videon me një përshkrim të shkurtër e të prerë: “S’ka ndales”.
Shembja e këtij lokali ka sjellë reagime të shumta, pasi sipas kritikëve, aksioni i IMT-së po shkakton dëme të mëdha tek bizneset lokale dhe mbylljen e dhjetëra ambienteve në kryeqytet. Ndërkohë, qeveria e konsideron këtë një pjesë të planit për “çlirimin e hapësirave publike” dhe luftën ndaj ndërtimeve pa leje.
Ky është lokali i radhës që bie pre e aksioneve të ndërmarra në Tiranë, ndërsa Rama ka paralajmëruar se kontrollet dhe prishjet do të vijojnë, duke lënë të kuptohet se edhe shumë biznese të tjera janë në rrezik.