FLASH :

Rama në luftë me drejtësinë, pas prokurores së Thethit, sulmon dhe gjyqtarin për pallatin në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka intensifikuar sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, duke shënjestruar sot gjyqtarin Hazbi Balliu, i cili vendosi masë sigurie në favor të ndërtuesve të një pallati pa leje në zemër të Tiranës, një objekt i konfiskuar më herët nga shteti dhe i vënë në dispozicion të Agjencisë së Kadastrës.

Pas deklaratave të bujshme ndaj prokurores Gjeli për çështjen e Thethit, një rast që Rama e cilësoi si “mbrojtje të krimit urban”, sot sulmi i tij ka marrë një tjetër kthesë, duke sinjalizuar një përplasje të hapur me gjyqësorin. “Fatkeqësisht, as Gjeli dhe as Balliu nuk janë të vetëm. Ata përfaqësojnë një frymë të vjetër që mban gjallë Antiligjin dhe Antishtetin,” u shpreh Rama.

Kryeministri ngriti pyetjen: “Ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit për të ndalur këtë abuzim të hapur?” – duke nënvizuar mungesën e reagimit të strukturave të reja të reformuara në drejtësi, të ngritura me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara.

Deklaratat e Ramës sinjalizojnë një luftë të hapur politike dhe institucionale me sistemin e drejtësisë, i cili është produkt i reformës së mbështetur ndërkombëtarisht. Ai shtoi se nuk do të lejojë që “subjektet e biznesit të madh të blenë vendime në dëm të qytetarëve të zakonshëm.”

Në fund, Rama përsëriti se “drejtësia vonon, por nuk harron”, duke lënë të kuptohet se përplasja me gjyqtarët dhe prokurorët që ai i konsideron si “pengmarrës të sistemit”, sapo ka filluar.