Kryeministri Edi Rama s’ka të ndalur lavdet ndaj liderëve ndërkombëtarë. Pas skenës së djeshme, ku priti kryeministren italiane Giorgia Meloni në gjunjë, duke dhënë një spektakël përulësie që do të mbetet gjatë në kujtesë, Rama sot nuk e përmbajti dot entuziazmin për presidentin francez Emmanuel Macron.
Gjatë mbylljes së fjalës në Forumin Ndërkombëtar Future Investment Initiative, Rama e quajti Macron “mbreti diell”, duke shtuar se ardhja e kryeministrit britanik Keir Starmer një ditë më parë kishte sjellë shiun politik, ndërsa sot, me praninë e Macron, kishte rilindur dielli. Ai u shpreh se kryeministri Britanik, Keir Staimer solli me vete shiun në Shqipëri për Samit, duke theksuar se “e gjithë dita e djeshme ishte nën retë politikës britanike“.
Duke iu referuar Macron shtoi se “E shihni sot, kemi diell, me mbretin diell këtu, pra mbreti i dytë diell”.
“Ka vetëm një gjë që nuk ia dolëm dot të bënim, sepse mëngjesin e një ditë më parë patëm Keir Starmer që erdhi nga Britania për një vizitë dypalëshe dhe solli me vete kaq shumë shi, saqë e gjithë dita e djeshme ishte nën retë politikës britanike, E shihni sot, kemi diell, me mbretin diell këtu, pra mbreti i dytë diell”, tha Rama, i cili më pas u largua nga podiumi.
Pas përkuljes së djeshme dhe lavdeve të sotme, mbetet për t’u parë cili lider tjetër do të përfitojë nga entuziazmi i pakufishëm i Ramës.