FLASH :

Rama kunjë për Lali Erin: Drejtori i UKT-së në Tiranë kishte 30 këshilltarë, as zyra ime s’i ka aq!

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar kritika të forta ndaj mënyrës si është menaxhuar sistemi i ujësjellës-kanalizimeve, me një vëmendje të veçantë ndaj situatës në kryeqytet. Gjatë takimit me kryebashkiakët në Durrës, ai tha se ka ardhur koha për të ndërtuar një operator kombëtar të ujësjellësit, duke evidentuar abuzimet e së kaluarës – ku një pjesë e akuzës duket se ishte me adresë të koduar për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

“Këtu kemi nevojë për një reformë. Të gjitha llojet e eksperiencave na nxjerrin në përfundimin se është koha për një operator kombëtar të sistemit të shpërndarjes së ujit, për të adresuar një çështje jetike, sikurse është furnizimi me ujë”, u shpreh Rama.

Më tej, ai hodhi kunja të drejtpërdrejta për menaxhimin në kryeqytet:

“Mund ta përfytyroni një zyrë drejtori ujësjellësi me 30 këshilltarë, me 30 vetë staf? Nuk ka zyra ime as çerekun. Mund ta përfytyroni një drejtor UKT me 30 veta në zyrë? Kështu ishte në Tiranë. Çudira ka pasur shumë, ka më pak tani, por prapë ka tepër, se Shqipëria nuk ka luksin të presë që të gjithë të bëjnë punën siç duhet”, deklaroi ai.

Ky koment i fortë vjen në një moment kur qeveria është përfshirë në një analizë të thelluar të pushtetit vendor, me vendime drastike për shkarkime drejtorësh e drejtuesish të njësive administrative në të gjithë vendin.