FLASH :

Rama ironizon drejtësinë për padinë ndaj Bashës, Gjykata Kushtetuese reagon për “presionet” ndaj sistemit

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka hedhur poshtë padinë për shpifje të kryeministrit Edi Rama ndaj Lulzim Bashës, çështje e depozituar që në vitin 2018. Sipas kryeministrit, arsyetimi i gjykatëses ishte se Rama “si paditës s’ka pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mban detyrën e kryeministrit”, ndaj “shpifja nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj tij në publik”.

Në një reagim të ashpër në rrjetet sociale, Rama shkruan me ironi:

“Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!”
Ai e quan vendimin “një fakt për të qarë e aspak për të qeshur”, duke sulmuar nivelin e arsyetimit të gjykatëses, të cilën e krahasoi me një personazh të romanit satirik “Ushtari i mirë Shvejk”, duke shtuar:
“Kjo gjykatëse paguhet më shumë se një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, dhe i përket Unionit që kërkon rritje page 700 euro nga Gjykata Kushtetuese”.

Rama nuk u ndal me kaq, por ngriti edhe alarmin për cilësinë e drejtësisë në vend, duke pyetur me ironi të rëndë:

“Si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!”

Ndërkohë, në një njoftim për shtyp, Gjykata Kushtetuese ka reaguar ndaj “qëndrimeve dhe reagimeve të publikuara së fundmi në media dhe rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi edhe ekzekutivin”.

Gjykata shprehet se:

“Siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.”

Më tej, thekson se:

“Vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës.”

Replikat vijnë në një klimë të tensionuar mes ekzekutivit dhe drejtësisë, ku balanca e pushteteve dhe respekti për pavarësinë gjyqësore po sfidohen hapur në publik.