Me tone kritike, Belinda Balluku ka vënë theksin të një bashkëpunim i munguar mes Bashkisë dhe qeverisë apo institucioneve qendrore, duke sjellë si shembull dixhitalizimin. Petrit Malaj ka bërë një analizë të situatës financiare, ndërsa ministri Blendi Gonxhja të mobiliteteve për qytetarët e Tiranës.
Tensioni duhet të jetë ndjerë në ajër në sallën e Hotel Tiranës, ku drejtues të Bashkisë së Tiranës ishin në përballjen e dytë me kryeministrin Edi Rama. Minutat para nisjes së takimit duket të kenë qenë të ndera. Në pritje të sinjalit për transmetimin live të mbledhjes, askush nuk fliste. Një qetësi që prishej nga vështrimi i kryeministrit, që për disa minuta, u vërtit i pashoqëruar nga asnjë fjalë, mbi pjesmarrësit, të ulur si mbi gjemba.
Fillimi i fjalës së Ramës, duket se e zbuti disa situatën. Kryeqyteti zuri pak vend, mes shumë çështjesh që ai ngriti. Mbyllja e fjalimit dhe ndërprerja e transmetimit live, duke kaluar në diskutimin me dyer të mbyllura, riktheu ankthin. Zakonisht kjo është pjesa kur kryeministri shpërthen pa doreza. Për çudi ai nuk e zgjati shumë. Vuri në dukje se ndërsa zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor janë pas dy vitesh, Tiranës (me kryetarin nën arrest) nuk i dihet fati. Pak më pas, u ngrit duke njoftuar se diskutimet do të vijonin në prani të ministrave, nën drejtimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Një njoftim që duket se riktheu ndjenjën e ankthit. Pavarësisht se si Balluku, dhe zoti Veliaj, kanë hedhur poshtë publikisht ekzistencën e një rivaliteti mes tyre, të gjithë në sallë e kishin të qartë realitetin e fakteve, veçanërisht zyrtarët e lartë të Bashkisë.
Fillimisht drejtuesve të qarqeve ju tha se mund të largoheshin, duke qenë se diskutimet do fokusoheshin vetëm në kryeqytet. Pak para se të dilnin atyre iu kërkua që mbledhje si për bashkinë e Tiranës ata duhet të organizonin dhe në bashkitë e qarqeve të tyre.
Ogerta Manastirliu, një nga drejtueset politike të qarkut të Tiranës, mësohet të ketë folur me terma përgjithësisht të moderuar, duke theksuar se kishte vend për të përmirësuar, shumë nga punët në kryeqytet. Por pas saj Balluku, deklaroi se nuk ishte aq elegante sa kolegia e saj dhe se preferonte të ishte e drejtpërdrejtë. Ajo ka kujtuar përvojat e hershme të saj në Bashkinë e Tiranës, gjë e cila, siç mësohet të jetë shprehur, i mundësonte asaj t’i kuptonte në ajër problemet.
Burimet tregojnë se fjala e saj kishte tone të qarta kritike ndaj ecurisë së shërbimeve, të cilat “nuk mund t’i mungojnë qytetarëve sepse një zyrtar druhet për këtë apo atë arsye”. Ajo ka vënë theksin dhe të një bashkëpunim i munguar mes Bashkisë dhe qeverisë apo institucioneve qendrore, duke sjellë si shembull dixhitalizimin. Për zëvendëskryeministren, e rëndësishme ndër të tjera, është riorganizmi apo dhe forcimi I rolit të Sekretarit të Përgjithshëm.
Nga ana e tij ministri i Financave Petrit Malaj, ka bërë një analizë të situatës financiare, duke vënë në dukje, të ardhurat që më së shumti vijnë nga taksat e ndërtimit, dhe shpenzimet jo fort të balancuara.
Ndërsa ministri Blendi Gonxhja, i cili është përgjegjës për ‘mobilitetet’, mësohet të ketë bërë në mbledhje një analizë të problematikave të evidentuara deri më tani për qarkun e Tiranës dhe zgjidhjet për t’iu lehtësuar jetën qytetarëve. Në fokus janë vënë transporti publik, nyjet kryesore të trafikut, zonat pedonale apo parkimi. Gonxhja ka theksuar se puna po bëhet në bashkëpunim me institucionet qëndrore dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë si GIZ.
“Kemi nisur evidentimin e shpejtë të pikave të zeza, të nxehta, nyjeve gordiane, me theks aksesin cilësor urban, transportin publik pa pengesa, trafikun e rrjedhshëm dhe zonat pedonale e pa makina, parkimin publik e rezidencial si edhe furnizimin e subjekteve, unazat, hyrjet e daljet në kryeqytet, transportin shkollor që po punojmë edhe me ZvKryeministren dhe Ministren e Arsimit, flotat e mjeteve, oraret dhe informacionin publik. Vlerësojmë punën e bërë me ekspertët e GIZ që do ta pasurojmë me ndihmën e AZHT e AKPT dhe eksperiencat që po marrim nga Barcelona ku kemi nisur këto ditë edhe një vizitë pune”, mësohet të ketë thënë ministri Gonxhja në mbledhje.
Pas kërkesës së kryeministrit Rama për të bërë një ‘inventar’ të problemeve në qarkun e Tiranës janë ngritur grupe ndihmëse, ku disa ministra sëbashku me drejtorë të bashkisë e të agjencive të tjera po punojnë sipas këtyre fushave: Ogerta Manastirliu – Struktura, Belinda Balluku – Shërbimet, Blendi Gonxhja – Mobiliteti dhe Petrit Malaj – Financat.