Në fillim të fushatës, Edi Rama tha publikisht se “në Kuç do të vendos sa mandate do marr”. Dhe me sa duket, këtë e ka bërë – jo në ndonjë mbledhje të strukturave zyrtare, por mbi një mbulesë letre restoranti, e cila tashmë ka mbërritur tek ne.
Në këtë “memorandum të Kuçit”, siç e quan vetë, Rama shënon në mënyrë simbolike një ndarje të mandateve sipas qarqeve dhe vizaton një tabelë ku shkruhen shifrat 74, 78 dhe më pas 88 – ky i fundit përfaqëson objektivin final, një super shumicë prej dy të tretash që i jep atij mundësinë të ndryshojë Kushtetutën pa asnjë pengesë.
Dhe nëse e arrin 88-shin, Rama do të ketë fuqinë që të ripërshtatë sistemin politik sipas interesave të tij, njësoj siç ndodhi në Rusi me Vladimir Putinin. Me këtë shumicë, ai do të ketë mundësi të ndryshojë rregullat e lojës, të zgjasë qëndrimin në pushtet, madje edhe të vendosë kush do ta pasojë. “Nëse marrim 88, kemi mbaruar punë”, duket të jetë filozofia pas këtij vizioni elektoral – një ide që më shumë frymëzon frikë sesa siguri.
Por si është e mundur që një qeveri që ka 12 vjet në pushtet, e përfshirë në skandale korrupsioni dhe me ministra të hetuar e dënuar, të synojë jo thjesht fitoren, por dominimin total? Si mundet një kryeministër ta reduktojë garën zgjedhore në një vizatim mbi pecetë, dhe të sillet sikur çdo votë është një konfirmim për pushtetin e tij personal?
Në një vend ku rotacioni është i domosdoshëm për shëndetin demokratik dhe ku institucionet janë konsumuar nga kontrolli i njëanshëm, ideja që një forcë politike të marrë 88 mandate tingëllon si një eksperiment i rrezikshëm me vetë demokracinë.
Rama nuk ka bërë thjesht një parashikim elektoral në Kuç. Ai ka dhënë një sinjal të qartë: nuk kërkon vetëm fitoren, por sundimin. Dhe kur pushteti projektohet në peceta restoranti, vendimet e mëdha të kombit rrezikojnë të bëhen po aq të përkohshme sa letra mbi të cilën vizatohen.

