FLASH :

Rama frikë nga humbja, jep miliona euro tendera në muajin e fundit të mandatit

Me sa duket, Edi Rama po përgatitet për humbjen. Dhe si çdo pushtetar që ndjen fundin afër, po shpërndan çfarë ka mbetur në arkat e shtetit me një bujari të frikshme — jo për qytetarët, por për klientët e vet të përhershëm. Një qeveri që sillet si në ditët e fundit të pushtetit po lë pas një valë tenderësh publikë me vlera marramendëse, që më shumë ngjajnë me qoka të fundit elektorale sesa me investime për zhvillim.

Tuneli i Llogorasë – një gur kilometrik për abuzim, jo për turizëm

Tuneli i shumëpërfolur i Llogorasë, që pritej të shkurtonte kohën e udhëtimit dhe të nxiste zhvillimin turistik në bregdetin jugor, mbetet ende i mbyllur. Megjithëse ndërtimi i tij thuhet se ka përfunduar që më 15 dhjetor 2024, tuneli nuk është funksional për publikun. E megjithatë, tenderët nuk ndalen. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur së fundmi një tender për mbikëqyrjen e mirëmbajtjes, me vlerë 116 mijë euro, duke iu shtuar një kontrate më të hershme prej 3.1 milionë euro për mirëmbajtje pajisjesh.

Në total, mbi 3.2 milionë euro për një tunel të mbyllur, ndërsa qytetarët vazhdojnë të rrezikojnë jetën përmes kthesave të Qafës së Llogorasë, një rrugë që i përket shekullit të kaluar, jo të ardhmes që u është premtuar.

Uniforma për burgjet, jo për shtetin

Në sfondin e një ekonomie të brishtë dhe pagave të ulëta, qeveria duket se ka prioritet tjetër: veshjet. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur një tender prej 14 milionë eurosh për uniforma dhe këpucë për Policinë e Burgjeve. Dhe ky është vetëm njëri ndër të shumtit. Më parë, një tjetër tender për uniformat e Policisë së Shtetit kishte vlerën prej 28 milionë eurosh. Por ndërsa forcat e rendit vishem gjithnjë e më mirë, qytetarët paguajnë faturën pa e ditur çfarë cilësie apo qëllimi po mbështesin me taksat e tyre.

Porto Romano: Projekti që paralajmërohet si vjedhja më e madhe

Kulmi i kësaj vale tenderësh është projekti i shumëdebatuar i Porto Romanos, me një tender fillestar prej 400 milionë eurosh për fazën e parë. Ky është vetëm fillimi i një mega-plani që, sipas opozitës, do t’u kushtojë shqiptarëve 1.3 miliardë euro. Sali Berisha e ka quajtur projektin “vjedhjen më të madhe ekonomike në histori” dhe ka paralajmëruar kompanitë ndërkombëtare të mos bëhen bashkëpunëtore në këtë skemë.

Për më tepër, ai theksoi se çdo tender i nënshkruar nga tani deri më 15 maj — në prag të zgjedhjeve — është i paligjshëm sipas legjislacionit për prokurimet publike dhe nuk do të njihet nga një qeveri e ardhshme. Megjithatë, Rama dhe të tijtë ecin përpara me sigurinë e një pushteti që nuk pyet më për ligj, por vetëm për kohën që u ka mbetur në karrige.

Qeveri që prodhon tenderë, jo rezultate

Në vend të llogaridhënies, kemi tendera. Në vend të investimeve reale, kemi kostume, portale dhe propagandë. Në vend të infrastrukturës funksionale, kemi njoftime triumfale për punë që nuk duken askund. Shqipëria po shkon në zgjedhje me një qeveri që ndan miliona për një elitë të vogël, ndërsa shumica e qytetarëve vazhdon të përballet me rrugë të rrezikshme, spitale të rrënuara dhe shpresa të zhgënjyera.

Në fund, ajo që mbetet nuk është zhvillimi — por fatura, e cila do të paguhet për vite me radhë nga ata që nuk u pyetën kurrë.