Kandidatët e PS-së dhe jo vetëm shtojnë kërkesat ndaj KQZ-së për transparencë të numërimit ë votave, përmes pamjeve filmike të numërimit. Këto kërkesa vijnë në vijim të diskutimeve për transparencën e procesit të votimit dhe numërimit në zgjedhjet e 11 majit.
Disa nga emrat që kanë dërguar kërkesa për pamje filmike përfshijnë deputetet Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj dhe së fundmi edhe Frrok Gjini. Ata kërkojnë më shumë qartësi dhe siguri mbi votën preferenciale dhe rezultatin përfundimtar.
Mirëpo, një reagim i ashpër ka ardhur nga kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili përmes një mesazhi drejtuar grupit të tij parlamentar, ka dënuar këto veprime, duke i cilësuar të tepërta dhe të turpshme.
Rama shkruan: “Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime e rinumërime e ku di unë për votën preferenciale!
Natyrisht që nuk ndaloj dot askënd që të bëjë me kokën e vet, por duke qenë se këtu në këtë dritare jemi akoma një skuadër dhe unë dua që kështu të mbetemi, do këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge, sepse, e para, humbja e një gare s’duhet të bëhet sebep për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me tërë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote të përmasave që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues jo me 10 e 20, por me shumë më tepër vota diferencë me pasuesit në klasifikim;
E dyta, kjo i bie që të hidhet hije mbi njerëzit tanë që kanë ndenjur pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh;
E fundit, parafytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenërinë mediatike, kur në fund mali i mbarsur mos pjellë dot as një mi!”
Ky zhvillim ka nxitur diskutime të gjera politike dhe mediatike, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë pasoja më të mëdha brenda vetë mazhorancës.







