FLASH :

Raiffeisen Bank “në gojën” e hakerave, ja si po bien qytetarët në kurth

Një skemë mashtrimi kibernetik është shfaqur së fundmi në Shqipëri, duke vendosur në shënjestër klientët e Raiffeisen Bank përmes SMS-ve të rreme që pretendojnë të jenë njoftime zyrtare nga institucioni financiar. Të paktën një qytetar ka denoncuar humbjen e një shume prej 100,000 lekësh të vjetra, pasi ra viktimë e kësaj skeme të mirëorganizuar.

Qytetari në fjalë rrëfen se ka marrë një mesazh telefonik, i cili dukej se vinte nga vetë Raiffeisen Bank. Në përmbajtjen e mesazhit përfshihej një link që e orientonte përdoruesin drejt një faqeje të ngjashme me atë të bankës. Pas klikimit, ai humbi menjëherë qasjen në aplikacionin Raiffeisen ON, ndërsa nga llogaria e tij u kryen transaksione pa përdorur fare kartën bankare fizike. Rasti është bërë publik me qëllim sensibilizimin e qytetarëve për të shmangur situata të ngjashme.

Raiffeisen Bank ka reaguar menjëherë në koordinim me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe AKEP, duke ndërmarrë masa për të bllokuar faqen mashtruese dhe për të kufizuar përhapjen e mëtejshme të kësaj fushate mashtruese. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një formë sulmi të njohur si “smishing”, ku sulmuesit dërgojnë mesazhe me përmbajtje të rreme, me qëllim vjedhjen e të dhënave sensitive si PIN, kredenciale hyrjeje apo informacione të tjera bankare.

Autoritetet këshillojnë të gjithë përdoruesit të jenë të kujdesshëm dhe të mos klikojnë në asnjë link të dërguar përmes SMS-esh apo rrjeteve sociale nëse nuk janë të sigurt për burimin. Bankat dhe institucionet financiare nuk kërkojnë kurrë informacione sensitive në këtë formë. Në raste të dyshimta, qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë bankën përkatëse për verifikim, dhe të raportojnë çdo incident pranë AKSK ose Policisë së Shtetit.

Ky incident ngre shqetësime serioze për rritjen e nivelit të rrezikut kibernetik në vend dhe nevojën për ndërgjegjësim publik mbi praktikat e sigurisë digjitale, veçanërisht në sektorin bankar. Mashtrimet e tilla, përveçse dëm ekonomik për qytetarët, dëmtojnë edhe besimin te institucionet financiare dhe rrezikojnë integritetin e sistemit bankar në tërësi.