Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka nisur sot një aksion për prishjen e një objekti të ndërtuar pa leje pranë vijës bregdetare në Radhimë.
Ndërhyrja u krye në mes të ditës, në kulmin e sezonit turistik, duke shkaktuar habi dhe shqetësim te dhjetëra pushues që ndodheshin në plazh në momentin e prishjes. Sipas dëshmitarëve, shumë prej turistëve u befasuan nga zhurma e mjeteve të rënda dhe prania e forcave të shumta të policisë, duke pyetur pse aksione të tilla zhvillohen pikërisht në këtë periudhë kur zona është e mbushur me vizitorë.
Autoritetet shpjeguan se objekti ishte i paligjshëm dhe kishte marrë më parë njoftim për prishje. Ky operacion, sipas IKMT, është pjesë e një plani të gjerë për lirimin e hapësirave publike dhe pastrimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje, me qëllim rikthimin e aksesit të lirë për qytetarët dhe turistët.