Ka ndërruar jetë në spital prifti i Korçës, Kristaq Viso, i cili dy javë më parë u rrëzua nga çatia e kishës teksa po hiqte tjegulla dhe llamarina përpara rikonstruksionit të objektit të kultit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 maj, kur nga vjetërsia dhe kalbja e tavanit, struktura u shemb dhe prifti ra brenda ambientit të kishës, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe trup. Pas incidentit, me kërkesë të kryepeshkopit Anastas Janullatos, ai u transportua me urgjencë drejt Tiranës për trajtim të specializuar, por nuk ia doli të mbijetojë.
Lajmin e hidhur e ka dhënë sot Mitropolia e Shenjtë e Korçës në rrjetet sociale:
“Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso! Qoftë e lumur udha në të cilën shkon ti sot… Parajsë të mbarë o vëllai ynë i gjithmonë kujtuar!” – thuhet në postim.
Ngushëllimet janë drejtuar bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë të afërmve, ndërsa komuniteti ortodoks i qytetit ka mbetur i tronditur nga humbja e papritur e një prej figurave të dashura të kishës.







