FLASH :

R. Kelly dërgohet me urgjencë në spital pas një mbidoze në burg

Këngëtari i turpëruar R. Kelly është dërguar me urgjencë në spital pasi, sipas avokatëve të tij, ka pësuar mbidozë nga medikamentet e administruara nga stafi i burgut.

Ylli i muzikës R&B, i dënuar me 30 vjet burg për zhvatje dhe trafikim seksual, sipas një padie të datës 17 qershor, u vendos në izolim më 10 qershor si hakmarrje për akuzat që kishte bërë kundër stafit të burgut se po komplotonin për ta vrarë.

Sipas dokumenteve ligjore, më 13 qershor atij iu dha një dozë shumë e lartë e ilaçeve kundër ankthit dhe iu urdhërua t’i merrte. Të njëjtën ditë, Kelly raportoi se ndihej i fikur, kishte marrje mendsh dhe shihte njolla të zeza në shikim, përpara se të humbiste ndjenjat dhe të transportohej në spitalin “Duke University Hospital”.

Në dokument thuhet se këngëtari u dëgjua duke i thënë një punonjësi të burgut: “Kjo do të hapë një kuti të re skandalesh.”

Ai qëndroi dy ditë në spital për rikuperim. Avokatët e tij pretendojnë se stafi i burgut i dha një sasi mjekimesh që “mund ta kishte vrarë”. Ata shtojnë se Kelly është trajtuar keq në burg dhe nuk i janë ofruar trajtime të domosdoshme për mpiksje gjaku.

Mjekët në spital zbuluan mpiksje në këmbët e tij, të cilat kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale, por ai u nxor me forcë nga spitali dhe iu mohua operacioni, sipas avokatëve.

Gjithashtu, Kelly u izolua “kundër dëshirës së tij” pas një padie të mëparshme ku akuzohej se tre zyrtarë të burgut po planifikonin ta vrisnin me anë të një bande supremaciste të bardhë.

Në një padi tronditëse, avokatët e Kelly referuan një deklaratë të betuar nga një i burgosur terminal, Mikeal Glenn Stine, anëtar i bandës “Aryan Brotherhood”, i cili pretendon se stafi i burgut i kërkoi të vriste këngëtarin, në këmbim të një arratisjeje dhe lirie në muajt e tij të fundit të jetës.

Stine thotë se fillimisht pranoi të kryente vrasjen kur u transferua në të njëjtin repart me Kelly-n në mars dhe iu tha nga stafi: “Duhet të bësh atë që erdhe për të bërë.” Por më vonë ndryshoi mendje dhe ia tregoi planin vetë këngëtarit.

Avokatët e Kelly-t pretendojnë se më vonë, në qershor, u përgatit një komplot i dytë për ta vrarë atë dhe Stine-n nga një tjetër anëtar i së njëjtës bandë.

Ata kanë kërkuar falje presidenciale nga Donald Trump, duke thënë se “Kelly nuk ka luksin të presë drejtësi nga gjykatat pas zbulimit të korrupsionit në thelb të ndjekjes penale ndaj tij”.

Avokatët thonë se janë në bisedime me persona pranë Shtëpisë së Bardhë dhe ish-Presidentit Trump për këtë çështje.

Ndërkohë, Byroja e Burgjeve nuk ka komentuar për shkak të “çështjes në gjykim”.