FLASH :

Qytetarja në Athinë “gozhdon” Ramën për Hipotekat : Zvarritje pa fund për çertifikatat

Në një takim me emigrantët shqiptarë në Athinë, kryeministri Edi Rama u përball me kritika të forta nga një qytetare e zhgënjyer nga administrata shqiptare. Ajo ngriti shqetësimin për vonesat e pajustifikuara në marrjen e certifikatës së pronësisë, duke e quajtur administratën “zero”.

“Administrata është zero. Kush më siguron që ky do të jetë një premtim i realizuar?” – pyeti qytetarja, duke shprehur pasigurinë e saj për të investuar në atdhe.

Në vend që të pranonte përgjegjësinë për dështimet e qeverisë së tij, Rama zgjodhi të shmangë kritikën dhe të kundërpërgjigjet me arrogancë. “Po të mos kishte probleme, për çfarë do vija unë këtu? Nuk mund t’ia lemë vendin bufit apo atyre që shesin qilima,” – tha ai, duke bërë ironi me kundërshtarët politikë dhe duke anashkaluar problemin real.

Megjithëse kryeministri përmendi platformën e-Albania si një zgjidhje për emigrantët, realiteti është ndryshe. Pavarësisht premtimeve për digjitalizim dhe lehtësi në shërbime, qytetarja përballë tij tregoi se shqiptarët ende përballen me burokraci të rëndë dhe vonesa të pakuptimta.

Kur një tjetër qytetar kërkoi të fliste, Rama i tha: “Duro mo, se do vij, s’të fal fare,” – një tjetër moment që tregon qasjen e tij autoritare ndaj kritikëve.

Ky episod në Athinë është një tjetër dëshmi se pas më shumë se një dekade në pushtet, Rama vazhdon të justifikojë dështimet e tij me premtime të ardhshme, ndërkohë që qytetarët kërkojnë rezultate konkrete dhe jo fjalë boshe.