FLASH :

Qumështi dhe vezët më të shtrenjta në Europë? Shqipëria në TOP 5!

Shqipëria renditet e pesta në Europë për rritjen e çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat, që analizojnë ndryshimet vjetore të çmimeve në 41 vende të kontinentit.

Në krye të listës qëndron Turqia me një rritje alarmante prej 38.6%, për shkak të hiperinflacionit dhe politikave ekonomike të pasigurta. Pas saj vijnë Malta (+6.7%), Norvegjia (+5.9%) dhe Islanda (+4%), ndërsa Shqipëria regjistron një rritje prej 3.9%, duke lënë pas jo vetëm mesataren e BE-së, por edhe vendet e rajonit.

Ndryshe nga Islanda apo Malta – vende ishullore me kufizime natyrore në prodhim dhe transport – Shqipëria nuk ka të njëjtat pengesa gjeografike, por sërish përjeton çmime të larta. Arsyet kryesore lidhen me:

  • Kostot e larta të prodhimit dhe importit,
  • Mungesën e subvencioneve të qëndrueshme për bujqësinë,
  • Uljen drastike të numrit të kafshëve në ferma,
  • Rritjen sezonale të kërkesës për shkak të turizmit.

Krahasimi me rajonin është i qartë: Maqedonia e Veriut dhe Portugalia kanë regjistruar një rritje të moderuar prej vetëm 1.8%, Serbia 1.5%, ndërsa Mali i Zi +1.1%. Disa vende europiane madje kanë parë edhe rënie të çmimeve, si Çekia (-6%), Hungaria (-4.4%), Finlanda (-2.4%) dhe Gjermania (-1.7%).

Në total, zona euro ka shënuar një rënie mesatare vjetore prej -0.4%, duke reflektuar stabilizimin e tregjeve pas goditjeve të krizës së pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

Në Shqipëri, tendenca mbetet në drejtim të kundërt. Ekspertët paralajmërojnë se pa reforma serioze në bujqësi, pa rritje të subvencioneve dhe pa kontroll të zinxhirit të tregtimit, çmimet e ushqimeve bazë do të vijojnë të rriten – duke rënduar më tej buxhetin e familjeve, veçanërisht të shtresave në nevojë.

Me një popullsi në plakje, shpopullim të zonave rurale dhe mungesë vizioni afatgjatë për bujqësinë, Shqipëria rrezikon të mbetet ndër vendet më të prekura nga rritja e çmimeve të produkteve bazë në Europë.