FLASH :

Qiratë në Tiranë prekin rekorde: Rritje me 4.7% në maj, presioni i tregut rikthehet me forcë

Tregu i qirave në Shqipëri po përjeton një tjetër valë rritjeje të fortë, me çmimet që në maj 2025 u rritën me 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT. Kjo është rritja më e lartë që nga dhjetori 2023 dhe vjen pas një periudhe me tendencë të zbutur. Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me mungesën e qirave afatgjata, orientimin e tregut drejt turizmit, si dhe me prurjet demografike të të rinjve drejt kryeqytetit. Ndërhyrja e pamjaftueshme e shtetit në rregullimin e tregut të strehimit e ka thelluar më tej këtë presion.

Ndërsa në vitet 2015–2016 çmimet e qirave luhateshin me ritme minimale ose edhe negative, që nga viti 2017 trendi ka qenë në rritje, me përshpejtim të dukshëm pas pandemisë. Kulmi i mëparshëm ishte shënuar në shkurt 2023 me një rritje prej 4.9%. Një rol të rëndësishëm në këtë dinamikë ka luajtur edhe rritja e numrit të të huajve që marrin me qira në Tiranë – sidomos ukrainas, rusë, italianë dhe punonjës digjitalë – për shkak të çmimeve më të përballueshme krahasuar me qytetet e tjera europiane. Ndërkohë, segmenti i ndërtimit është përqendruar në rezidenca luksoze, duke lënë një boshllëk të madh në qiratë për shtresat me të ardhura të ulëta e mesatare, gjë që po e rrit ndjeshëm koston e jetesës urbane.